Lajme

Realiteti i Maqedonisë: Llogaritë e bllokuara, përmbaruesit trokasin në derë!

By FerizajPress

April 19, 2016

Është në rritje numri i qytetarëve dhe kompanive me llogari të bllokuara. Për një vit në Maqedoni ka 20 mijë qytetarë të ri me llogari të bllokuara, respektivisht në shkurt të këtij viti janë regjistruar 77.569 qytetarë të tillë, përderisa në shkurt të vitit të kaluar ka pasur 57.622 qytetarë me llogari të bllokuara. Kjo do të thotë që vetëm për një vit numri i tyre është zmadhuar për 19.947 qytetarë, transmeton Telegrafi Maqedoni.

Rritje drastike të numrit të qytetarëve me llogari të bllokuara, është shënuar në mars të vitit të kaluar, respektivisht prej 57.622 sa kanë qenë të regjistruar në muajin shkurt, në maj përnjëherë ky numër është rritur në 75.294, dhe që atëherë rrotullohet në këto suaza, dhe në shkurt të këtij viti ky numër është 77.569 qytetarë me llogari të bllokuara.

Sidoqoftë, në shkurt të këtij viti, krahasuar me janarin e vitit të kaluar është shënuar një rënie e butë e numrit të qytetarëve me llogari të bllokuara, respektivisht numri i tyre për një muaj është zvogëluar për 968.

Rritet numri i kompanive me llogari të bllokuara

Për një vit, respektivisht nga shkurti i vitit të kaluar e deri në shkurt të këtij vitit, janë shënuar 2.866 kompani të reja me llogari të bllokuara. Kështu që, nëse në muajin shkurt të vitit të kaluar ka pasur 42.067 kompani me llogari të bllokuara, në shkurt të këtij viti ka 44.933 kompani me llogari të bllokuara.

Përmbaruesit për nëntë vite kanë grumbulluar 645 milionë euro

Çdo vit, përmbaruesit nga qytetarët dhe kompanitë grumbullojnë mesatarisht nga 71 milionë euro. Deri te kjo përllogaritje arrihet nëse dihet që nga viti 2006 deri 2014, përmbaruesit nga qytetarët dhe firmat kanë grumbulluar 645 milionë euro.

Në vitin 2014, përmbaruesit kanë grumbulluar 108 milionë euro. Gjatë kësaj, më tepër se gjysma e shumës, respektivisht 57 milionë euro janë grumbulluar në Shkup.

Sipas raporteve zyrtare, përmbaruesit më lehtë grumbullojnë pagesa nga qytetarët në Veles, Gjevgjeli, Kavadar, Negotinë dhe Manastir, ndërsa grumbullimi i pagesave shkon me vështirësi në Gostivar, Kërçovë dhe Tetovë