Pasi familja Ademaj akuzoi mësimdhënësin Mustafë Salihu për ngacmim seksual ndaj vajzës së tyre, ka reaguar Salihu, duke i quajtur të pavërteta pretendimet e prindërve. Salihu, thotë se ka qenë çdo herë profesor i respektuar, pavarësisht se ndaj tij ka 2 raste negative në sjellje. Ka 40 vjet që punon si mësues klasor në shkollat fillore të Ferizajt dhe është hera e dytë që po akuzohet nga nxënësit për ngacmim seksual. Mustafë Salihu i quan shpifje akuzat si në rastin e parë ashtu edhe në atë të fundit ku nga familja Ademaj u akuzua se ngacmoi nxënësen 11 vjeçare.
“Ka qenë jo korrekte, jo reale, ka qenë krejt gënjeshtër. Unë dhe familja jemi befasu, jemi tmerru kur e kemi dëgju këtë deklaratë që e kanë dhënë prind e dhe familja e saj. Nuk e di çfarë qëllime kanë, kryesorja unë e ndi vetën të pastër në këtë punë”, tha ai për KTV’në.
Madje ai thotë se së fundi nuk është suspenduar por ka marrë pushim mjekësor pasi është sulmuar pa të drejtë.
“Unë jam në pushim mjekësor, momentalisht në pushim mjekësor jam nga sulmi që kemi pasë”, tha ai.
Salihu thotë se ka qenë gjithmonë mësimdhënës i respektuar pavarësisht se ndaj tij ka dy raste negative në sjellje
Ministri i Arsimit i dënon aktet e tilla dhe thotë se do t’i ofrojë ndihmë drejtorisë komunale nëse u kërkohet.
Ndërkaq, drejtori i arsimit i komunës së Ferizajt, Muhamet Halili, dje konfirmoi se Salihu tashmë është suspenduar dhe se ka qenë i akuzuar edhe më herët për një vepër të njëjtë, por nga gjykata ka dalë i pafajshëm.