Ferizaj

Reagon kompania së cilës MMPHI-ja ia pezulloi lejen mjedisore

By FerizajPress

August 01, 2023

Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka shkarkuar dy komisione vlerësuese për menaxhimin e mbeturinave dhe dhënies së lejeve mjedisore, pasi ministri i këtij dikasteri, Liburn Aliu, ka thënë se nuk e di kush e ka dhënë pëlqimin për lejen e një kompanie për ndërtimin e inceneratorit termik për trajtimin e mbeturinave.

Kompania “Erdi RProducts” ka reaguar duke thënë se Aliu ka lëshuar të pavërteta dhe fjalë të pabaza e pareferim.

Sipas kësaj kompanie, fakti se Aliu ka treguar për këtë gjë dy ditë para inaugurimit të themelimit të fabrikës së përpunimit të mbeturinave “tregon se sa joprofesionale dhe e shtyrë, si dhe e motivuar jashtëligjshëm është i gjithë qëndrimi i Ministrit Aliu”.

Kjo kompani tutje ka paraqitur ato që ka thënë se janë lejet e siguruara sipas ligjeve.

“Kompania jonë në bashkinvestim me kompani ndërkombëtare për më shumë se tre vite ka shpenzuar resurset dhe financat marramendëse për të kaluar nëpër të gjitha procedurat e parapara me ligjet e Kosovës dhe jemi pajisur me të gjithë dokumentacionin përkatës për të filluar me punën. Këtu përveç lejeve dhe punëve administrative që kemi përfunduar, ne kemi marrë tokat me qira, kemi kontraktuar operatorë lokal e ndërkombëtarë për kryerjen e punëve ndërtuese për fabrikën. Të gjitha këto janë pjesë e dokumentacionit që ne i posedojmë”, thuhet në reagimin e saj.

“Erdi Rproducts” ka shprehur tutje se Aliu me deklaratat që ka bërë ka rrezikuar të gjithë investimin dhe reputacionin e kompanive vendore e ndërkombëtare. Teksa ka insistuar se posedon të gjitha lejet e dokumentacionin e lëshuar nga institucionet, megjithëse këto nuk janë bashkangjitur në emailin dërguar mediave.

“Të vetmin shpjegim që mund të japim pasi ne posedojmë te gjitha lejet dhe dokumentacionin e lëshuar nga institucionet e Kosovës, është që Ministri është vendosur në shërbim të monopolit të mbeturinave dhe me ndikim politikë po deklarohet për çështje të vendosura nga ekspertët e lëmive përkatëse. Kjo formë e intereferimit dhe deklarimit në media përveç që është joprofesionale tregon sa nuk kuptohen dhe nuk mirëpriten investimet e mëdha dhe serioze që janë pikërisht të modeluara sipas standardeve Evropiane në linjë me Agjendën e Gjelbër dhe në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe arritjes së pastërtisë së hapësirave publike në funksion të shëndetit publik të qytetarëve të vendit. Është e pakuptimtë për ne se si Ministri shpenzon kohën e tij për të organizuar konferenca për shtyp për të komunikuar me investitor dhe të helmojë publikun me informacione të pavërteta”, ka thënë kompania.

Ajo ka pyetur ministrin Aliu të tregojë se në cilin ligj është bazuar.

“Të gjitha afatet ligjore për ankimim të vendimeve të marra nga institucionet gjegjëse kanë kaluar dhe e vetmja formë për të sfiduar këto vendime janë rrugët ligjore në procedurë gjyqësore që sigurojnë drejtësi dhe trajtim të pavarur nga politika dhe interesat grupore që mund të jenë shtytësit kryesor që Ministri të sillet në këtë formë”.

Pavarësisht deklaratave të Ministrisë, kjo kompani ka theksuar se do ta vazhdojë punën sipas lejeve të marra.

“Gjëja e fundit që duam të ju tërheqim vëmendjen publikut është se Ministri gjatë gjithë konferencës për shtyp i është referuar projektit si ‘INCENERATOR’ përderisa në të gjitha dokumentet dhe komunikimet zyrtare përfshirë edhe lejet e lëshuara nga MMPH dhe Komuna e Ferizajt ky emërtim nuk përdoret asnjëherë. Kjo ose është tendencë për të barazuar çështjet me projektet tjera problematike që është manipulim me publikun, ose Ministri e ka fjalën për ndonjë projekt tjetër, e nuk e di fare se për cilin projekt bëhet fjalë!”