Lajme

Reagon Klinika e Nefrologjisë, ja çfarë thotë për ankesat e pacientëve për insulinë

By FerizajPress

August 13, 2018

Nga kjo klinikë kanë deklaruar se në gjashtë mujorin e parë të këtij viti nuk kanë qenë të furnizuar me insulinë dhe se në këtë periudhë kohore pacientët e kanë siguruar vetë insulinën.

Tutje në reagim thuhet se asnjëherë në depot e klinikës nuk ka pasur insulinë me afat të skaduar.

Reagimi i plotë:

Ne menaxhmenti dhe stafi i Klinikës së Nefrologjisë reagojmë ashpër ndaj shkrimeve të publikuara në portalet lajmi.net dhe gazeta Shneta me titujt: “Pacientët ankohen se në Klinikën e Nefrologjisë në Prishtinë u jepet insulinë pa afat” dhe “Insulinat pa afat për pacientët në Nefrologji të QKUK –së”

Ne si staf dhe menaxhment jemi jashtëzakonisht të shqetësuar me ato çka lexojmë në portalet e lartshënuara.

E para, sa i përket insulinës nga muaji 12, i vitit 2017 deri me 05.06.2018 ne nuk kemi qenë të furnizuar me insulinë dhe në atë periudhë kohore pacientët e kanë siguruar vetë insulinën, asnjëherë nuk kemi pasur në depot tona insulinë me afat të skaduar çka mund të verifikohet me dokumentacionin ekzistues.

E dyta, është komplet e pandershme dhe e PANDERGJEGJËSHME të publikohen inicialet e mjekeve tona dhe të citohen si “emër i njohur për redaksinë” dhe të shkruhen pasuse fiktive “nuk ka qenë e mundur të kontaktohen Klinika e Nefrologjisë dhe mjekja në fjalë” sa për informacionin tuaj askush nga klinika jonë nuk është kontaktuar për këtë çështje, për me tepër këto shkrime janë botuar ditë të shtune dhe të diele, dt 11 dhe 12 gusht 2018!!!

Nuk është aspak në rregull kushdo që dëshiron, e qe nuk e ka guximin as të deklarohen me emër e mbiemër dhe të tregojnë te vërtetën e të njollosë punën tonë.

Kërkojmë që ky reagim yni të botohet, e mos të lejohet që me të pavërteta të njolloset puna e stafit të Klinikës së Nefrologjisë, meqë nuk qëndrojnë as titulli e as teksti i botuar nga portali lajmi.net e më pas edhe nga Gazeta Shneta.

Sqarimi i redaksisë së lajmi.net për Klinikën e Nefrologjisë:

Redaksia ka tentuar gjatë gjithë ditës së shtune të merr të paktën një prononcim nga Klinika e Nefrologjisë, por askush nuk ka qenë i qasshëm.

Lajmi.net posedon edhe listën e thirrjeve që i janë bërë klinikës dhe udhëheqesve të saj, por asnjë përgjigje nuk e kemi marrë.

Sa i përket asaj që thotë klinika se teksti është botuar të shtunën, kjo është krejtësisht jorelevante, sepse nuk ka kufizim të ditëve se kur duhet botuar një tekst.

Lajmi.net asnjëherë nuk ka tentuar dhe nuk tenton që të njolloset dikush qëllimisht dhe pa fakte, por ne i kemi sqaruar të gjitha në tekst.

Prandaj ato fakte që janë botuar janë të pacientit, emër i njohur për redaksisë.

Dhe në fund, për të qenë sa më korrekt ne nuk e kemi botuar emrin e mjekes, edhe pse është përmend nga pacienti dhe jo nga ne.

Pra emri (ne i kemi përmend vetëm incialet për të qenë korrekt)  është në citat dhe jo i përfolur.