Ferizaj

Reagim ndaj Njoftimit për pacientët insulinë-marrës nga Drejtori i QKMF-së

By FerizajPress

February 08, 2018

Ferizaj.08.02.2018 . Pas njoftimit të publikuar për insulinë-marrësit nga QKMF në Ferizaj se kjo qendër për shkak të disa gabimeve ka mbetur pa insulinë ka reaguar  ish ushtruesja e Drejtorit të QKMF-së  Ibadete Bucaliu- Ismajli.

Në njoftim është akuzuar udhëheqja e mëparshme se nuk ka kryer porosinë gjegjësisht për shkak të disa gabimeve ku si rrjedhojë ky planifikim nuk është pranuar në Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të numrit të vogël të artikujve të përfshirë dhe për këtë arsye është kërkuar një planifikim i dytë, i cili është bërë nga i njëjti ekip dhe për pasojë pacientët kanë mbetur  pa furnizim me insulinë. Por për këtë ka reaguar ish ushtruesja e detyrës së Drejtorit të QKMF-së Ibadete Bucaliu-Ismajli, e cila ka thënë se deklarata e drejtorit Bajrami është tendencioze pasi sipas ish drejtoreshës problemi i furnizimit me barna esenciale është standard i punës së Njësisë së Farmacisë Ky është reagim i plotë i ish ushtrueses së Drejtorit të QKMF-së, Ibadete Bucaliu-Ismajli

Reagim ndaj Njoftimit për pacientët insulinë-marrës nga Drejtori i QKMF-së E ndjej për obligim profesional të reagoj rreth këtij njoftimi të publikuar në faqen e QKMF-së dhe Ferizaj Press më 07.02.2018 dhe të potencoj se për kohën sa kam menaxhuar së paku kam arritur që nivelet e referimit dhe raportimit ti ngriti në një nivel më të lartë. Kam marrë me shqetësim dhe e vlerësoj tendencioze deklaratën e Drejtorit të QKMF-së për opinionin publik rreth procesit të furnizimit me insulinë dhe atakimit tim në këtë proces si bartëse e problemit të krijuar dhe të menaxhuar nga Njësia e Farmacisë. Me këtë rast dëshiroj të kontribuoj dhe të njoftoj se një planifikim vjetor furnizues nga Njësia e Farmacisë është standard i punës. Procesi i planifikimit rrjedh nga Farmacistja në këtë njësi në korrenspodim me kërkesat nga Rrjeti i njësive nëpër qendrat tjera. Planifikimi për gjashtëmujorin e parë ka qenë në plotëni të planifikimit sipas kërkesave dhe nevojave të njerëzve insulinë-marrës të regjistruar në databazën e Njësisë së Farmacisë. Theksoj se ishte prioritet institucional plotësimi i plotë i nevojave të kësaj kategorie. Kufizimet buxhetore nga MSH nuk kanë miratuar një plan të tillë, pasi duhet referuar stoqeve që ata kanë në dispozicion.( shkresë nga MSH ). Një planifikim i dytë i kërkuar nga MSH në SMSF-SISH nuk rrjedh nga Ushtruesja e detyrës së drejtorit, ngase është kompetencë e plotë e Farmacistes. Po ashtu mandati im kishte përfunduar në atë kohë. Dhe deri më tani nuk njoh asnjë drejtor dhe besoj se edhe nuk do të njoh, që ka qasje direkte në një sistem të tillë elektronik, në kompetencë të personit tjetër me detyra dhe përgjegjësi specifike. Dëshiroj edhe unë të kuptoj se është një gabim teknik gjatë punës së farmacistes, dhe të ndërlidhi këto gabime edhe me postimin nga Drejtori; i cili potencoi se dorëzimi i planifikimit u realizua me 18.12.2018, atëherë duhet të presim edhe 11 muaj për realizim, sipas postimit. Kjo po bën të kuptojmë se gabimet teknike janë pjesë e punës e sidomos nga presionet e ngutshme, që ju shoqëroi edhe juve, por tani në kontekst tjetër ( ngutshmëria e publikimit të gabimit ). Kështu që, nuk e kam të qartë një publikim të tillë jo të matshëm dhe të arsyeshëm, karshi fakteve në dispozicion të cilat kanë qenë lehtë të arritshme. Për fund, Dëshiroj të siguroj të gjithë njerëzit insulinë-marrës se ne kemi planifikuar plotësimin e nevojave të plota të tyre me insulinë. Por tani,varet nga MSH dhe aktivitetet e menaxherit të QKMF-së. Ibadete Bucaliu-Ismajli, ish ushtruese e Drejtorit të QKMF-së në Ferizaj.