Dua të reagoj ndaj propozimit të dalë nga shoqatat e luftës, të cilat nuk e di se kënd e kanë pyetur kur njëanshëm kanë marrë qëndrimin që t’i propozojnë Qeverisë së Kosovës që Kosova të ketë për Ditë të Dëshmorëve 5 Majin, që ndërlidhet me Ditën e Dëshmorëve në Shqipëri, respektivisht me rënien e komunistit Qemal Stafa.
Me sa mbaj mend, në Kuvendin e OVLUÇK rreth 6 vite më parë isha këmbëngulës që 6 marsi të shpallej DIta e Dëshmorëve në Kosovë dhe një propozim i tillë kishte kaluar në Kuvend me shumicën e votave, ndërsa nuk kishte kaluar 5 maji. Prandaj, nuk e di kah e morën këtë të drejtë këta individë që të bëjnë një propozim të tillë, bile me pompozitet e kërcënim si enveristë të vërtetë. Dua t’u qëndroj besnik fjalëve dhe qëndrimit tim të dhënë para gjithë veteranëve – se Kosova e ka Ditën e Dëshmorëve – 6 Marsin e pashembullt në historinë tonë kombëtare – 6 marsin e Komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz. Nuk ka në historinë tonë kombëtare shembull të tillë flijimi e sakrifice për Liri, Pavarësi dhe Bashkim Kombëtar, se rasti kur për tre ditë rreshtazi binë tre breza duke luftuar: gjyshi, djemtë e nipat. Dhe Amaneti për të cilën ata ranë ishte Bashkimi i trojeve etnike shqiptare. Ndërsa, pa dashur t’i jap kahje këtij propozimi, por shihet fare qartë se propozuesit janë të ndikuar keq nga një anë e errët e historisë sonë Kombëtare.
Le t’më dëshmojnë mua këta njerëz që fshihen prapa petkut të shoqatatve të luftës së UÇK-së, se Qemal Stafa paska luftuar për Bashkim Kombëtar apo cilido komunist tjetër. Jo more njerëz jo. Unë nuk e di se me Popoviçat e Mugoshat e pinjollët e tyre do të arrihej Bashkimi, por historia ka treguar se pikërisht ata në vend se të luftonin për bashkim, ata i kishin luftuar edhe më shumë nacionalistët e pastër dhe ideologët e bashkimit kombëtar. Dhe po ta kishin ata në programin dhe veprimin e tyre Bashkimin Kombëtar, kjo punë do të kryhej qysh para 70 viteve dhe shqiptarët do t’ishim kombi dominues në Ballkan me orientim euro-atlantik. Kësisoj, nëse edhe Kosova do ta adoptojë 5 majin si Ditë të Dëshmorëve, kjo do të jetë fyerje së pari për familjen Jasharaj dhe fyerje për çdo të rënë një shekull të tërë lufte për Bashkim Kombëtar! Prandaj, pavarësisht prej idesë së mirë që populli shqiptar të ketë një datë të Dëshmorëve – ajo nuk mund të jetë një datë fyese për kombin tonë, por padyshim mund të jetë 6 marsi i Adem Jasharit i cili ngriti tërë popullin shqiptar në këmbë kudo në botë. Nuk e besoj se vrasja e Qemal Stafës (të cilin diktatori E. Hoxha e kishte vënë në kurth për ta eliminuar si rival politik), kishte ngritur gjithë shqiptarët në këmbë, ashtu si me rastin e Jasharajve.
Me kërkesën e 5 majit, si rrjedhojë logjike pritet të vie nga këta propozues edhe propozimi i rradhës që të shënohet 29 nëntori e jo 28 nëntori ynë i shenjtë, pasi komunistët kishin vendosur si datë të çlirimit të Shqipërisë 29 nëntorin, që ne shqiptarët këndej kufirit e dimë mirë se festa e kujt ishte. Pra, nostalgjikët sllavo-komunistë, do të bëjnë çmos për të rikthyer ide të tilla. Por, besoj se Institucionet tona janë të vetëdijshme se veprime të tilla që nuk janë në shpirtin e populli tonë që të mos merren parasysh.
Unë dhe familja ime dhe besoj pjesa dërrmuese e shqiptarëve në botë, asnjëherë nuk do ta heqin nga mendja e shpirti ynë 5, 6 dhe 7 marsin e ’98-ës së Adem Jasharit dhe asnjë emocion nuk do të krijojë edhe ndonjë datë e tillë që mund të imponohet. Historia jonë ka dëshmuar se cilado datë e imponuar nuk ka pasur jetëgjatësi dhe është kthyer bumerang! Njëjtë do të ndodhë edhe me 5 majin që do të ndryshohet edhe andej kufirit.
Lavdi gjithë të rënëve breza me radhë për Liri, Bashkim dhe Pavarësi Kombëtare! Lavdi Komandantit legjendar Adem Jashari!
Me përulje para lavdisë, Bashkim Fazliu Migjeni Sekretar OVLUÇK-Ferizaj 4 maj 2016