Ferizaj

Rasti tragjik në Kaçanik, policia jep detaje

By FerizajPress

May 11, 2022

Një ditë më parë një 30 vjeçar ka mbetur i vdekur ndërsa një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në magjistralen Ferizaj-Kaçanik.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës ngjarja ka ndodhur të martën rreth orës 14:03.

Siç thuhet në raport, i plagosuri është dërguar në spital në gjendje të rëndë pa vetëdije.

Tutje në raport thuhet se dy persona janë të dyshuar për këtë rast, e të cilët gjenden në arrati.

“Është raportuar se një i dyshuar mashkull  kosovar dyshohet se ka shtënë me armë zjarri ndaj dy viktimave meshkuj kosovarë. Si pasojë e të shtënave njëri nga viktimat ka ndërruar jetë ndërsa tjetri është dërguar në spital në gjendje të rëndë pa vetëdije. Të gjitha njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes. Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Në lidhje me rastin dy të dyshuar gjendet në arrati”, thuhet në raportin e policisë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se motivet e vrasjes së rëndë që ndodhi sot në Kaçanik nuk dihen ende, ndërsa të dyshuarit gjenden në arrati.

Sipas njoftimit për media, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Ndërsa, personi tjetër i përfshirë në incident i cili ka mbetur i plagosur, është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.

“Motivet për këtë ngjarje ende nuk dihen dhe të dyshuarit lidhur me këtë rast gjenden në arrati, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale ‘Vrasja e rëndë’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Me urdhër të prokurorit, trupi i pa jetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa, personi tjetër i lënduar është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria Themelore në Ferizaj thotë se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes.