Lajme

Raporti i Progresit kërkon të shmanget politizimi i të pagjeturve

By FerizajPress

November 10, 2016

Raporti i Progresit i BE-së paralajmëron se edhe pse Kosova ka ngritur një departament krimesh lufte brenda Zyrës së saj të Prokurorisë Speciale, ai ka vetëm dy prokurorë vendas për një sasi pune që do të shtohet edhe më tej kur çështje të tjera të dorëzohen nga EULEX.

Njësisë së investigimit të krimeve të luftës të policisë së Kosovës i janë dhënë staf shtesë, automjete dhe kompjuterë, por ka mungesë personeli të kualifikuar, thotë ai.

“Eksperienca e kufizuar dhe mungesa e hetuesve me një prejardhje etnike serbe, staf analize inteligjence penale dhe kapacitet gjuhësor dhe përkthimi, ka një impakt të madh në punën e njësisë,” paralajmëron ai.

Në çështjet ku të dyshuarit janë serbë etnikë, që jetojnë kryesisht në Serbi, bashkëpunimi i përbashkët ligjor midis Prishtinës dhe Beogradit nuk ekziston, thotë ai.

Ai shpreh gjithashtu shqetësim për aftësinë dhe vullnetin e Prishtinës për të trajtuar raste krimesh lufte ku përfshihen ish-anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

1, 665 personat që janë zhdukur që prej konfliktit është një tjetër çështje e rëndësishme për Kosovën, thotë raporti.

“Fati i pazgjidhur i personave të zhdukur nga konflikti i viteve 1990 mbetet një shqetësim humanitar, zgjidhja e të cilit është diçka tepër e rëndësishme për pajtimin dhe stabilitetin në rajon,” shpjegon ai.

“Politizimi i procesit, përfshirë edhe deklarata të panevojshme në media dhe një dobësim i mëtejshëm i procesit për shkak të mosmarrëveshjeve ndërinstitucionale, duhet të shmanget,” shton ai.

Qeveria e Kosovës duhet “të tregojë përkushtim më të madh politik dhe përpjekje të rinovuara” për të gjetur personat e zhdukur, argumenton raporti, duke thënë se duhet të krijohet një regjistër qendror i personave të zhdukur, shkruan kallxo.com.

Ai shpreh gjithashtu shqetësim për mungesë progresi në trajtimin e eshtrave njerëzore të paidentifikuara që ruhen në morgun e Prishtinës.

Megjithatë, raporti thekson se Kosova i përmbushi detyrimet e saj në lidhje me krijimin e Dhomave Speciale dhe Zyrës së Prokurorit Special me bazë në Hagë, e cila do të hetojë dhe gjykojë krimet e dyshuara të kryera nga luftëtarët e UÇK-së gjatë dhe pas konfliktit të vitit 1999.

.