Ish deputeti i PDK-së dhe AAK-së, Ramiz Kelmendi është afër kalimit në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Në një prononcim për KALLXO.com, Kelmendi ka bërë të ditur se ka pasur disa takime me Kryeministrin Isa Mustafa në lidhje më këtë çështje dhe se pret që nesër të vendoset për një aderim eventual në parti dhe një post të lartë qeveritar.
Kelmendi thotë se deri tash ka një dakordim që atij t’i jepet pozita e Zëvendës Kryeministrit, e lënë bosh tash e disa muaj qëkur Kujtim Shala hoqi dorë nga kjo pozitë për t’u përqendruar te posti i Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Ndërsa Ramiz Kelmendi thotë se nesër do të takohet me kryetarin e LDK-së dhe Kryeministrin e vendit, Isa Mustafa ku pritet të merret vendimi.
“Rregullisht kam pasur takime me LDK-në, mirëpo nesër do të kuptohet gjithçka kur të takohem me Kryeministrin Mustafa”, tha Kelmendi.
“Nëse ata e vlerësojnë që kanë interes për avancim ekonomik, besoj që të më bëjnë zëvendës kryeministër. Paraprakisht ata kanë njëfarë pajtimi për këtë mirëpo ende nuk e di vendimin definitiv”, tha Kelmendi për KALLXO.com
Mirëpo rreth takimit të nesërm të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa dhe Ramiz Kelmendit nuk di asgjë nënkryetarit i kësaj partie, Haki Rugova.
Ai në një prononcim për KALLXO.com, Rugova tha se është biseduar më parë për përfshirjen e Ramiz Kelmendit në LDK por ai nuk pret që nesër të ketë ndonjë vendim përfundimtar.
Nëse realizohet ky aderim, LDK do të jetë partia e tretë për Ramiz Kelmendin brenda pak viteve të karrierës politike të njërit nga biznesmenët më të njohur në Kosovë. Në vitin 2010 ai filloi me AAK-në ndërsa tri vjet më vonë iu bashkua PDK-së. Vitin e kaluar, Kelmendi u largua nga PDK dhe grupi i saj parlamentar pas mospajtimeve të krijuara për shkak se nuk gjeti vend në qeverinë e vendit.
.