Lajme

Rama fajëson opozitën se “po pengon integrimin europian”

By FerizajPress

November 29, 2016

Për t’i bërë kontrast akuzave të opozitës, Rama ka cituar fjalët e kancelares Angela Merkel, se, “Shqipëria ka ndryshuar rrënjësisht përmes reformave, të cilat duhet të vazhdojnë”.

“Nuk mund të bëj sikur nuk e shoh atë që po bën opozita, për të rrënuar imazhin e Shqipërisë në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, duke mos lënë shpifje pa amplifikuar lartë e poshtë, për t’i bindur se Shqipëria është një Kolumbi, që qeveria është një kartel droge dhe që Shqipëria është një gropë e zezë nga e cila të gjithë duan të arratisen”, citon tch të ketë ka deklaruar Rama.

Sipas tij, opozita i ka ngritur Shqipërisë një mur që i pengon asaj çeljen e negociatave, pasi ka bllokuar ligjin e Vetting-ut. Për këtë arsye, ai i ka bërë thirrje votuesve të opozitës që të ushtrojnë presion mbi lidershipin e PD për të zhbllokuar ligjin në fjalë.

Gjithsesi, Rama është shprehur optimist për vendimin që do të merret në dhjetor lidhur me hapjen e negociatave, si dhe i bindur se, “Gjermania do të jetë në krahun tonë”.

Ndërkohë, ai ka hedhur poshtë pretendimet e opozitës se zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë një kusht për hapjen e bisedimeve. “Zgjedhjet e ardhshme nuk janë kusht, por kriter. Prandaj, loja e maces me miun që bën PD është për të çoroditur publikun shqiptar”, ka theksuar Rama.

Ndër të tjera, kryeministri ka falënderuar aleatin e tij qeverisës, Ilir Meta, pa të cilin, siç tha, “reformat nuk do të kishin qenë të mundura”.

“Anëtarët e qeverisë së koalicionit kanë punuar si një skuadër kompakte. Dhe pa dyshim, me bashkëpunimin e qytetarëve shqiptarë”, ka thënë Rama.

I pranishëm në këtë takim, Meta është fokusuar më tepër tek simbolika e 28 Nëntorit, duke vlerësuar figurën e veteranëve dhe të rënëve.

“Duke vazhduar në këtë rrugë që kemi nisur ne do të plotësojmë idealet e atyre që ëndërruan për Shqipërinë. I përjetshëm qoftë kujtimi i tyre”, ka thënë Meta.

.