Pyetja 1. Të kujt janë trotuaret e qytetit të Ferizajt? 2. Përse vetëm në K.K Ferizaj, qytetarët për regjistrim veture, duhet të paguajnë 10 euro dhe atë në dorë? 3. Përse përdoren apo shpërdoren ato para? 4. Përse për një shtëpi private një apo dy dhomëshe, kudo qoftë, qytet a fshat, duhet të paguhet tatim derisa një banesë, edhe 500 m katrorë qoftë, nuk i nënshtrohet tatimit? 5. Përse zihen trotuaret e qytetit, si në shesh, ashtu edhe në rrugët dytësore? Në shesh janë kafexhinjtë, në rrugët dytësore, mafia e ndërtimit. 6. Si ndodh që të shfrytëzohet hapësira publike pa paguar qiranë? 7. Dhe kur kemi të bëjmë për trotuaret e pushtuara të falangës së ndërtimit, përse i lejoni ndërtuesit të pushtojnë trotuaret? 8. Dhe nëse e përdor, përse nuk i detyroni të paguajnë, në radhë të parë gjobën, pastaj qiranë. Kryetar Dilni rrugëve të Lagjes së Re, nga shtëpia e shëndetit, në drejtim të “Intergrafit”, nga “Intrergrafi” te shkolla “Gjon Serreqi” si dhe Gjimnazi. Bëni dhe një shetitje edhe në rrugën që fut në Lagjen e Re, nga MENTORI, deri te APOLONIA, besoj se e frekuentoni shpesh. Edhe nga ish shtëpia e ish deputetes së LDK-së, z. Aliu po deri te APOLLINIA. Shikoni edhe rrugët e tjera mes kinemasë së uzurpuar deri te rrethrrotullimi që çon për në fshatin Balaj. Pse jo, edhe në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” nga të gjitha këto, ju do të bindeni se komuna e Ferizajt, nuk meriton tatimin e qytetarëve. Shkaku! Nuk ka hapësirë lëvizjeje, madje është edhe i rrezikuar! E dini ju se në Evropën perëndimore, çdo metër publike e shfrytëzuar nga privati, qiraja është me të njëjtën vlerë sikur të ishte objekt i mbyllur? Këta që kanë zënë hapësirat e ndërtuara me paranë e qytetarëve, që nga kuvendi komunal, deri te Xhamia dhe kisha ortodokse, a kanë marrë pjesë në rregullimin e sheshit apo vetëm bënë “Lumë e shyqyr që na u zgjerua klientela”! Po trotuari i pushtuar tek semaforët, ai pra që uzurpoi një pjesë të ndërtesës së Entit për mirëqeni sociale, si u bë legjitime! U pyetën qytetarët që të falet a të shitet trotuari? E dini se po të mos ishte uzurpuar trotuari, do të mjaftonte hapësira për një rrethrtotullim dhe qyteti, do të merrte frymë më lirshëm, aty ku ju doni të bëni një nënkalim. Lironi hapësirën, largoni semaforët që edhe kështu janë të paakorduar dhe sjellin tmerr, dhe bëni një rrethrrotullim, duke mos mbajtur inate partiake. Nëse nisemi nga partitë, të gjitha partitë kanë shumë faje për qytetin më të vrazhdtë në republikë, përveç aty ku gjithë “komunarët” gjatë pushimit në mesditë dalin dhe reklamohen me kollaret e tyre dhe ju buzëqeshin qytetarëve nga “lartësia” pushtetare, edhe ai i pushtuar në mënyrë të paligjshme.
Shpresoj se do të përgjigjeni zotëri kryetar i K.K. Të Ferizajt z. Agim AliuRagip Kçiku