Ferizaj

Qytetarëve të Kosovës u kthehet terri, në Ferizaj lagje të tëra pa rrymë

By FerizajPress

December 22, 2021

Ashtu siç është paralajmëruar, pas më shumë se një dekade në Republikën e Kosovës janë rikthyer reduktimet e energjisë elektrike.

Kompania e shpërndarjes së energjisë në Kosovë (KEDS) njoftoi se nga sot se do të ketë ndërprerje të energjisë elektrike në mbarë vendin, si pasojë e prodhimit të ulët vendor dhe çmimeve të larta të importit të energjisë.

Mediat raportojnë se reduktimet vetëm kanë filluar në disa prej lagjeve kryesore të kryeqytetit, ndërsa në Ferizaj arsyetohen se për shkak të ngarkesës së madhe po kanë probleme me trafot.

Në orët e mbrëmjes pjesë të tëra të Ferizajt ishin  në terr.

Në disa pamje të bëra nga Ferizajpress, reth orës 18:00 shihet se rryma është ndalur nëpër shumë pjesë të Ferizajt

Qeveria i ka lënë fajet shpenzimeve të mëdha të energjisë elektrike dhe krizës energjetike në botë. Ajo ka ndarë 20 milionë euro javën që shkoi për importim të energjisë nga jashtë, por që kryeministri Albin Kurti është ankuar se edhe atje është rritur çmimi.

Lajmi për fillimin e reduktimeve në Kosovë ka bërë jehonë edhe nëpër mediat botërore.

Agjencia e lajmeve Reuters ka shkruar sot se shteti me 1.8 milionë banorë tani po importon rreth 40 për qind të nevojave për energji elektrike. Konsumi i energjisë është rritur, pasi në dimër shumica e konsumatorëve e përdorin atë për ngrohje.