Lajme

Qytetarët e Maqedonisë të katërtit në Evropë për pirjen e duhanit

By FerizajPress

February 08, 2017

Sipas një vëzhgimi të Project Sun, të kryer nga firma audituese KPMG, Shqipëria renditet në vendin e katërt në Evropë përsa i përket shitjeve të cigareve për frymë për moshën mbi 15 vjeç. Me rreth 2000 fije cigare në vit të shitura për frymë, Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Maqedoninë, sipas të dhënave që i përkasin vitit 2016.

Më duhanpirës sesa ne në Maqedoni dhe shqiptarët e Shqipërisë, në Evropë janë vetëm bullgarët, me rreth 2300 fije në vit, që renditen të parët dhe fqinjët grekë me rreth 2200 fije. Në përgjithësi të gjithë vendet e Ballkanit gjenden në zonën e kuqe, si Mali i Zi, Serbia, Sllovenia. Në Evropë, ata që pinë më pak duhan janë suedezët, me rreth 700 fije cigare për frymë në vit, të ndjekur nga norvegjezët, anglezët e holandezët.

Në Shqipëri, çmimi mesatar i një pakete cigare me 20 fije është 1.8 euro, ndërsa në Maqedoni është shumë më e lirë, 1.09 euro, në Serbi 1.63 euro . Në raport me vendet e tjera, gjithsesi një paketë cigare në Shqipëri është më e lirë. Në Greqi është 3.71 euro, në Itali 4.66 euro, ndërsa në Gjermani 5.34 euro. Në Britani, një ndër vendet ku konsumohet më pak duhan, një paketë kushton më shumë se 10 euro. Edhe në Norvegji për një paketë duhet gati 11 euro. Në Suedi, vendi ku konsumohet më pak, çmimi i paketës nuk është aq i shtrenjtë sa në dy vendet e tjera, por luhatet në 5-6 euro.