14 shtator 2025 – Pasditen e sotme, mijëra qytetarë nga mbarë bota janë mbledhur në Hagë të Holandës për të shprehur mbështetje ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët tashmë prej pesë vitesh ndodhen në paraburgim në objektin e Dhomave të Specializuara të Gjykatës së Hagës.
Kjo protestë madhështore është organizuar nga mërgimtarët shqiptarë, në bashkëpunim me kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së.Qëllimi i protestës ishte të përçonte një mesazh të qartë për gjykim të paanshëm dhe të pavarur, në përputhje me normat ligjore, kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Kujtojmë se Gjykata Speciale është institucion i themeluar me ligj të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe vepron brenda sistemit të drejtësisë së vendit.
Në Hagë u pa një pjesëmarrje e jashtëzakonshme e shqiptarëve nga të gjitha trevat: Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës si dhe nga diaspora e gjerë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe deri në Australi.
Pjesëmarrje të gjerë pati edhe nga Komuna e Ferizajt ku qytetarë të shumtë, ish-luftëtarë dhe qytetarë të zakonshëm, udhëtuan në mënyrë të organizuar drejt Hagës për të dhënë mbështetjen e tyre.
Protestuesit kërkuan që procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së të mos ndikohet politikisht dhe të mos përkthehet në një padrejtësi historike ndaj atyre që për shumëkënd janë simbol i luftës për liri dhe pavarësi.
Organizatorët nënvizuan se protesta ishte paqësore, qytetare dhe dinjitoze, dhe se kjo lëvizje do të vazhdojë të jetë zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të atyre që dhanë gjithçka për lirinë e vendit.