Lajme

Qumështarët në luftë për vajin e palmës

By FerizajPress

March 02, 2017

E tëra zhurma për këtë çështje dyshohet të ketë qenë lojë mes prodhuesve të qumështit, ku përfshihen korporata “Devolli”, kompania “Abi”, kompania “Bylmeti”, “Drena” e prodhues tjerë të produkteve të ngjashme.

Kështu e ka vlerësuar edhe e para e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami.

Ajo në fillim të muajit të kaluar i pati quajtur tendencioze deklaratat e Shoqatës së Qumështorëve të Kosovës në lidhje me vajin e palmës në produktet e qumështit.

Kjo pati ardhur pas daljes në skenë të një shoqate tjetër në mbrojtje të produkteve me përmbajtje të vajit të palmës. Ministrja Bajrami u ka bërë thirrje shoqatave të qumështorëve në vend që përmes tentativave të tilla të mos e dëmtojnë prodhimin vendor.

”… ju bëjë thirrje shoqatave të qumështarëve që ata asnjëherë me deklarata të tilla, me tentativa të tilla mos të e dëmtojnë prodhimin vendorë sepse ata në fund ata nuk do të dëmtojnë vetëm konkurrentët e tyre , por gjithsesi do të dëmtojnë edhe veten e tyre”, pati thënë Bajrami për  ekonomiaonline.

Deklarata e sajë pati ardhur pas përçarjes së Shoqatës se Qumështorëve të Kosovës dhe fermerëve.

Përmes një komunikate për medie, fermerët thonë se qëndrojnë prapa fakteve të prezantuara nga Shoqata e Qumështorëve të Kosovës, e cila tha se ka ngritur edhe kallëzim penal ndaj Agjencisë se Ushqimit dhe Veterinës për mosveprim, shkruan Gazeta Fjala.

Por ata thonë se “një shoqatë tjetër, e quajtur Shoqata e Prodhuesve të Qumështit”, kanë nisur të flasin në emër të fermerëve të Kosovës, duke i mbrojtur prodhuesit vendor, të cilët përdorin vajin e palmës si lëndë të parë”.

“Në këtë kohë kur fermerët po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për mbijetesë ata dalin dhe mbrojnë falsifikuesit e konsumatorëve, kundër të cilëve një kohë ishin deklaruar shumë herë”, thuhet në komunikatë.

Prodhuesit: Po tentohet të dëmtohen produktet vendore

Por edhe një nga prodhuesit e atakuar në këtë mes Alajdin Fusha, pronar i kompanisë “Abi’ thotë se më këtë që është krijuar për sigurinë e prodhimeve të qumështit dikush po dëshiron të dëmtojë produktet vendore.

“Nëse ka ankesa konsumatori duhet t’i drejtohet agjencionit, agjencioni i dërgon analizat, na merr – mbyll licencat, pra është problem i Agjencionit jo i personave, pronarëve të qumështarëve të cilët po na shantazhojnë”, ka thënë Fusha

Gazeta Fjala, ka provuar të kontaktoj edhe me kompanitë tjera prodhuese por ende nuk ka marrë përgjigje. Gazeta është në pritje të përgjigjeve të tyre lidhur me këtë rast.

Ndërkaq,  kreu i shoqatës së Qumështorëve të Kosovës, Ramadan Memaj, gjatë kohës sa ishte temë qendrore në opinion vaji i palmës, ka thënë se akuzave se po manipulojnë opinionin, u janë përgjigjur përpunuesit e produkteve të qumështit dhe përfaqësues të tjerë duke thënë se nëse dyshohet se po manipulohet me fakte, atëherë le të bëhet një analizë e menjëhershme e të gjitha produkteve në fjalë.

“Kështu që të qartësohet një herë e mirë se kush është duke e rrezikuar shëndetin e konsumatorëve dhe imazhin e prodhuesve vendore për shkak të përfitimeve të lehta. Ne këtë po e kërkojmë me vite nga AUVK-u, por fatkeqësisht nuk kemi parë të merret ndonjë veprim, duke lejuar dëmtimin e konsumatorit kosovar, kompanive të sinqerta të qumështit, si dhe fermerëve që po vazhdojnë të mbyllin fermat e tyre”.

Sipas tij, prezantimi i rrejshëm në media, gjoja si përfaqësues të shoqatës së qumështorëve nga disa persona, “vetëm se e dëshmon edhe më tepër se disa qarqe të caktuara me interes në vajin e palmës në këtë mënyrë dëshirojnë të na e mbyllin gojën dhe të vazhdojnë edhe më tej me mënyrën e tyre të manipulimit dhe të dëmtimit të industrisë së qumështit”.

AUV: S’ka vendim për ndalesë

Derisa prodhuesit dhe përpunuesit e qumështi kanë vazhduar debatin për përmbajtjen e produkteve me vaj të palmës, në Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit kanë deklaruar se produktet të cilat janë të përbëra nga qumështi dhe kanë të zëvendësuar yndyrën shtazore me atë bimore duke e përfshirë edhe vajin e palmës, nuk janë ilegale përderisa deklarohet në etiketë përbërja e produktit; dhe produkti si i tillë nuk emërtohet si “qumësht” ose “djath” me ç’rast do të konsiderohej si hutim i konsumatorit.

AUV ka theksuar se kohët e fundit, nga Autoriteti Evropian për Siguri Ushqimore është dhënë opinion për vajrat bimore të procesuara përfshirë edhe vajin e palmës, për veti kancerogjene dhe gjenogene, kur ato gjatë procesit të prodhimit të tyre arrijnë trajtimin në temperaturë mbi 200 gradë celcius.

“Përderisa nuk merret ndonjë vendim për ndalimin e yndyrave bimore, përfshirë vajin e palmës në produkte ushqimore nga institucione relevante ndërkombëtare të cilat kanë kapacitete të mjaftueshme për vlerësime shkencore përfundimtare, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk vendos ndalesë në përdorimin e tyre”, thuhet në reagimin e AUV-it.

Po ashtu, AUV ka theksuar se do të vazhdojë me kontrollet zyrtare dhe shtimin e frekuencës së kontrolleve tek operatorët e biznesit me ushqime, për të eliminuar dhe parandaluar çfarëdo keqinterpretimi eventual me ushqim, në veçanti të produkteve me yndyrë bimore, si nga importi ashtu edhe tek prodhuesit vendorë./Gazeta Fjala