Dita e tretë e dëgjimeve për hartimin e buxhetit vijoi në dy ndalesa të radhës. Në fshatin Komogllavë, Kryetari i Komunës, Agim Aliu bashkë me drejtorët komunal pritën banorët e këtij fshati dhe fshatrave në rrethinën e saj, Gurëz dhe Nikadin. I pari i Ferizajt, Agim Aliu i paraqiti banorëve të këtyre zonave, planifikimin investimor dhe mundësitë buxhetore që disponon Komuna e Ferizajt, për të shtrirë projekte të ndryshme në këto lokalitete. Ai tha se nga 9 milionë sa janë fonde të investimeve kapitale, vetëm 3 prej tyre mund të orientohen në projekte të reja bazuar në kërkesat e banorëve, sepse pjesa tjetër prej 6 milionëve është pjesë e obligimeve kontraktuale në vazhdimësi.
Edhe në këtë takim, Kryetari Aliu theksoi mbështetjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjë që ka bërë Ferizajn qendër ndër më të rëndësishmet si asnjëherë më parë, ku qeveria qendrore ka shtrirë investimet dhe ka orientuar fonde të ndryshme zhvillimore.
Banorët e këtyre lokaliteteve paraqitën kërkesat e tyre për t’u përfshirë në buxhetin e Komunës së Ferizajt, kryesisht kërkesa të natyrës infrastrukturore, rrugë, kanalizime, pengesa në rrugë, trotuare mirëpo edhe të tjera. Sfidë e banorëve të këtyre lokaliteteve është trajtimi i ujërave të zeza, mungesa e ujit të pijshëm dhe disa investime të tjera të cilët ata i prioritizuan në paraqitjen e kërkesave të tyre. Turi i dëgjimeve buxhetore vijoi edhe në Sojevë. Në shkollën e këtij fshati ishin mbledhur përfaqësuesit e banorët e fshatrave Sojevë, Dardani, Zllatar, Mirosalë, Bibaj dhe Fshat i Vjetër. Këta të fundit, i paraqitën Kryetarit të Ferizajt, Agim Aliu kërkesat e tyre që kryesisht kishin të bënin me asfaltimin e disa rrugëve në këtë fshat, investimet në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësin, menaxhimin e mbeturinave dhe të tjera.
Në përgjigje të kërkesave të banorëve, i pari i Ferizajt, Agim Aliu u zotua se do të prioritizoj kërkesat e paraqitura në këto dy ndalesa të dëgjimeve buxhetore dhe sipas mundësive të përfshihen në projeksionet buxhetore me qëllim realizimin e tyre në planin afatmesëm.