Lajme

Qeveria të mërkurën procedon në Kuvend demarkacionin, opozita do ta kundërshtojë

By FerizajPress

July 11, 2016

Qeveria e Kosovës më në fund ka vendosur që të procedojë në Kuvend marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Sipas Sokol Havollit, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, qeveria në mbledhjen e së mërkurës do ta procedojë në Kuvend për ratifikimin demarkacionin.

“Pastaj varet nga dinamika e Kuvendit se si do të rrjedh ky proces. Marrëveshja duhet t’i kaloj të gjitha procedurat e nevojshme si nëpër komisione po ashtu edhe në debat në seancë”, ka thënë Havolli për rtk.

Mirëpo, në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka thënë se ata do të bëjnë çmos që ta pengojnë ratifikimin e demarkacionit.

Selimi nuk e ka përjashtuar as rikthimin e gazit lotsjellës për të penguar ratifikimin.

“Aq sa më kryeneçe është qeveria, po aq të vendosur do të jemi ne që ta kundërshtojmë”, ka thënë Selimi.

Ndërsa, deputetja e AAK-së, Teuta Haxhija ka paralajmëruar rikthimin në Kuvend kur të vije në rend dite demarkacioni.