Lajme

Qeveria për 6 muaj shpenzon mbi 716 milionë euro për paga e mëditje

By FerizajPress

August 04, 2016

Për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, janë shpenzuar mbi 716 milionë euro për paga e mëditje dhe shërbime të tjera në nivelin qendror dhe lokal, që shënon rritje për 10 për qind krahasuar me periudhën paraprake, shkruan sot Koha Ditore.

Rritje të shpenzimeve ka pasur për udhëtime zyrtare, telefona mobil, si dhe për mirëmbajtje të automjeteve, rrugëve dhe objekteve.

Në raportin gjashtëmujor të miratuar nga Kabineti qeveritar, thuhet se vetëm për paga dhe mëditje janë shpenzuar 272.4 milionë euro. Kjo ka shënuar një rritje prej 4.5 për qind apo rreth 11.1 milionë euro më shumë krahasuar me faturën e pagave në periudhën e njëjtë të vitit 2015.

Në këtë shumë janë përfshirë të punësuarit në nivelin qendror dhe lokal, numri i të cilëve është 77.415. Vetëm në nivelin qendror janë të punësuar 36 mijë e 763, ndërsa në nivelin lokal janë të punësuar 40.652.