Lajme

Qeveria, pa përgjigje për projektin për sigurim të protezave për viktimat civile nga minat

By FerizajPress

April 23, 2016

Zyra e Kryeministrit, Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë ende nuk i kanë kthyer përgjigje Shoqatës së të plagosurve civilë nga minat, për projektin e dorëzuar para dy muajve, përmes të cilit kjo shoqatë ka kërkuar proteza duarsh, këmbësh dhe të syve, për 140 invalidë civilë, të rënë në mina pas luftës së fundit në Kosovë, shkruan sot Koha Ditore.

Projekti, i cili, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, llogaritet të këtë vlerën rreth 800 mijë eurosh, është dorëzuar te këto institucione më 23 shkurt të këtij viti, por, siç thotë kryetari i kësaj Shoqate, Avni Lubovci, përgjigje zyrtare nuk kanë marrë ende.

Lubivci tha edhe se një përgjigje për këtë projekt e kanë marrë nga zëvendësministri i Shëndetësisë, Mevludin Krasniqi, i cili, në një takim citohet të ketë thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka buxhet për realizim të tij dhe se për këtë duhet një vendim i Qeverisë.

Ndërkohë, Lubovci thotë se Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk u kanë kthyer ende një përgjigje, qoftë për pranim ose refuzim të kërkesës.