I ftuar në Ballë për Ballë në emisionin Ora e Fundit ishte Xhevdet Qeriqi, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së.
Ai ka folur rreth protestave të ish-ushtarëve e UÇK-sëtë cilët kanë protestuar sot para ndërtesës së Qeverisë.
Shkak për këtë protestë ishte mos-formimi i një komisioni mjekësor që do të caktonte shkallën e invaliditetit të atyre që ende nuk po i gëzojnë pensionet, dhe paralajmërimet se Qeveria mund të zvogëlojë pensionet e veteranëve, njofton Klan Kosova.
“Neve na kanë shtyrë kërkesat e veteranëve që të protestojmë, sepse atyre po u bëhet e padrejtë”.
“Këta veteranë që kanë protestuar sot u është njohur statusi i veteranit të luftës por janë disa procedura të cilat nuk po mund t’i kalojnë”.
“Si p.sh të aplikojnë për të drejtën në pension, dhe ne kemi diskutuar edhe me kryeministrin Mustafa poashtu edhe me ministrin Abrashi, që të formohet Komisioni Mjekësor”.
Qeriqi tregon se përkundër takimeve të shumta ai nuk ka marrë përgjigje.
“Mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe sot jam takuar edhe me ministrin Abrashi,që të kalohet më lehtë rreth këtyre procedurave, por nuk kam marrë përgjigje dhe pastaj kemi protestuar”.
Qeriqi tregon se ka qenë numër i vogël i protestuesve pasi shumica prej tyre i gëzojnë pensionet.
“Ka qenë numër i vogël i protestuesve pasiqë një pjesë e madhe e tyre tashmë i gëzojnë pensionet dhe ka mbetur një numër i vogël prej tyre që nuk gëzojnë këto të drejta”.
“Gjithmonë kam qenë zëri i veteranëve dhe gjithmonë kam bërë presion”.
“Pas takimit me ministrin Abrashi kemi diskutuar rreth formimit të këtij Komisioni Mjekësor dhe nxjerrjes së një udhëzimi administrativ nga ana e qeverisë.”
“Lidhur me këtë çështje Abrashi ka premtuar se në javën e ardhshme kjo gjë do të ndodh”.
Qeriqi tregon se ka pasur edhe diskutime rreth fryerjes së listave të veteranëve.
“Poashtu kemi diskutuar rreth fryerjes së listave sepse ata po e pranojnë se ka fryerje të listave”.
“Ne kemi kërkuar një auditim të pavarur që të hetohen fryerjet e këtyre listave”.
“Ministri është arsyetuar se nuk është kompetent që të marrë një vendim të tillë, mirëpo do ta diskutojmë edhe me kryeministrin dhe kabinetin qeveritar”.
Qeriqi thekson se në cilën zonë ka më pak fryerje të listave.
“Në përgjithësi në tërë rajonin e Kosovës ka fryerje të listave, përveq në zonën e Shalës ku konsideroj se është situata më e mirë”, ka thënë ndër të tjera Qeriqi.