Ferizaj

Qe dy vjet s’u ngul asnjë gozhdë e re në spitalin e Ferizajt

By FerizajPress

April 04, 2022

Ndërtimi i vrazhdë për Spitalin e ri Rajonal të Ferizajt është kryer gjatë viteve 2018/2019.

Ishte pandemia COVID-19, ndërrimi i Qeverive e ndërprerja e kontratës me kompaninë që bënë që ky projekt të mbetej pezull qe dy vite, transmeton Klan Kosova

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë bashkëpunimi me kompaninë është shkëputur sepse e njëjta ka bërë gabime në projektin e objektit.

Tashti ky institucion po bashkëpunon me Fakultetin e Ndërtimtarisë të Universitetit të Prishtinës.

Dekani i këtij fakulteti, Florim Grajçevci, përmes telefonit ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave do të dalin në terren për të bërë raport rreth gjendjes aktuale të punimeve.

Ai tha se kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Ministrinë javën që lamë pas, nga i cili nuk kanë përfitim financiar.

E nga Komuna e Ferizajt, nënkryetari, Lulzim Aliu, deklaron se nëse do të ishte kontraktuar një kompani nga ky qytet punimet tashmë do të ishin përfunduar.

Ndërkohë Spitali që shfrytëzohet aktualisht ka kapacitete të vogla në krahasim me kërkesat.

Sipas u.d drejtorit, Isa Berisha, ky spital mbulon gjithë rajonin, duke përfshirë Komunën e Kaçanikut, atë të Hanit të Elezit, të Shtërpcës, të Shtimes, një pjesë të Komunës së Lipjanit dhe një pjesë të Komunës së Vitisë.