Njohësi i çështjeve politike në Maqedoni, Qani Mehmedi, ka thënë në Info Magazine të Klan Kosovës se dorëheqja e ministrave të Bashkimit Demokratik për Integrim nga Qeveria e Maqedonisë nuk ka të bëjë me skandalin seksual në mes të deputetes Ermira Mehmetit dhe zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi, por sipas Mehmedit, ai përgjim megjithatë tregon “se e kemi një elitë rrugaçe”.
“Dorëheqja e Bashkimit Demokratik për Integrim nga Qeveria e Maqedonisë është akt i vonuar. Kjo është dashur të ndodhë më herët. Tashmë është e qartë se s’ka të bëjë dorëheqja me skandalin”.
Megjithatë sipas Mehmedit, “biseda intime përveç aspektit moral, aspekte të tjera nuk përfshinë. Ai nuk ndikon në jetën politike dhe as nuk i rregullon marrëdhëniet ndëretnike e as nuk ndikon në karakterin shtetëror të Maqedonisë”.
Ndërsa “dorëheqja e ministrave të BDI-së nga Qeveria e Maqedonisë ka qenë një akt i domosdoshëm moral e politik”.
Mehmedi tha se nëse do ta kishte incizimin e bisedës me përmbajtje erotike në mes të Ermria Mehmetit dhe Musa Xhaferit do ta publikonte menjëherë.
“Unë do ta publikoja si kryeredaktor përgjimin pa kurrfarë dyshimi, pasi askush nuk mundet ta ndalojë këtë gjë”, ka thënë Mehmedi, duke shtuar se “shihet qartë që me këtë skandal edhe shërbimet e huaja duan ta dëmtojnë BDI-në e Ali Ahmetit”.