Një punonjës i KEDS-it, i akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, u deklarua i pafajshëm sot në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Sipas aktakuzës, Petrit Gllogjani ka kryer veprën penale gjatë periudhës shkurt 2013 – mars 2014.
Sipas prokurorit Ali Ukaj, i akuzuari gjatë periudhës në fjalë ka dëmtuar plombat shtetërore të njehsorit elektrik të të dëmtuarit Blerim Shasivari me qëllime tendencioze për të krijuar bindjen kinse ato dëmtime i ka kryer i dëmtuari.
“Ka keqpërdorur pozitën apo autoritetin zyrtar në atë mënyrë që me datën 13.02.2013 e gjer më datën 05.03.2014 paraprakisht ka dëmtuar vulat përkatësisht plombat shtetërore të njehsorit elektrik, pronë e të dëmtuarit Blerim Shasivari, i cili ka qenë paraprakisht për kalibrim nga ana e komisionit nga shtëpia e të dëmtuarit në rrugën “B. Bistrazhini” në Gjakovë, me datë 13.02.2013 ka hapur njehsorin duke manipuluar me të dhe duke ndryshuar numrat që tregojnë sasinë e shpenzimit të rrymës në dëm të të dëmtuarit dhe më pastaj duke e mbyllur njehsorin e ka dërguar në kalibrim në qendrën kalibruese të KEDS-it në Prishtinë me qëllime tendencioze të planifikuara paraprakisht për të krijuar bindjen kinse ato veprime i ka kryer i dëmtuari Blerim Shasivari nga Gjakova”, tha prokurori.
Pas leximit të aktakuzës, i pyetur nga gjyqtari Nikollë Komani lidhur me fajësinë, i akuzuari Gllogjani u deklarua i pafajshëm.
“Si e ndjen veten, të fajshëm apo të pafajshëm për këtë vepër?”, pyeti gjykatësi.
“Të pafajshëm”, u përgjigj i akuzuari.
I akuzuari ka afat deri më 14 nëntor të bëjë kundërshtimet ndaj aktakuzës.
.