Që nga java e kaluar, rekrutimi i punëtorëve për shërbime të veçanta, apo siç njihet me kontrata mbi vepër, nuk do të bëhet më përmes Zyrës së Kryetarit, por procedurat do të kryhen përmes Zyrës së Prokurimit në komunën e Ferizajt.
Shefi i kësaj zyreje Feim Ibrahimi, thotë se procedurat për punësimin e punëtorëve të rinj do të jenë të njëjta me ato të tenderëve.
“Ky ka qenë propozim edhe vitin e kaluar që kontratat mbi vepër të mos bëhen direkt nga ZK-ja, por të fillohet me procedurë të prokurimit, këto janë kontrata për shërbime, njësia kërkuese tek ne e bjen inicimin, e bjen paramasën çka kërkon, çfarë punëtorë, çfarë lëmie, çfarë profesioni dhe ne e përgatisim dosjen e tenderit dhe e publikojmë dhe varet se kush aplikon, ne e caktojmë afatin e aplikimit, e gjitha varet se çfarë kontrate është, e madhe apo e mesme, ashtu edhe e bëjmë hapjen dhe pastaj bëjmë vlerësimin e të gjitha ofertave se kush ka aplikuar”, tha Feim Ibrahimi.
Regulloren e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik për rekrutimin e punëtorëve për shërbime të veçanta, organizata joqeveritare Iniciativa për Progres, po e konsideron si dokument që do të ndikoj në rritjen e transparencës nga ana e komunave, sa i përket punësimit të punëtorëve të ri.
“Ky do të jetë një hap shumë i madh në transparencë më të lartë të institucioneve publike për arsye se ne do ta dimë sa do të jetë numri i të punësuarve , po ashtu do ta shohim se si komuna po tenton të bëj rekrutimet që deri më tani ka qenë jotransparente, nuk e kemi ditur sa është numri i punëtorëve të punësuar përmes kontratave të veçanta, po ashtu të gjitha partitë kanë akuzuar njëra tjetrën, por që të gjitha duke bërë punën e njëjtë, prandaj ky është hap i mirë sepse do të ketë llogaridhënie më të madhe nga institucionet“, tha Mustafa.
Sipas rregullores të cilën e ka nxjerrë Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik të Kosovës, për shërbime të veçanta mund të ofertojnë kompani konsulente të cilat janë të regjistruara si biznese, por të drejtë aplikimi kanë edhe personat fizik të cilët duhet të jenë të pajisur me numër fiskal., transmeton Televizioni Tema.