Në vazhdimësi në popull thuhet që nuk ka punë, por në fakt ka punë, por nuk ka njerëz që duan të punojnë. Ne si individë duhet të nisemi nga shtëpia jonë, lagjja jonë, fshati ynë, qyteti ynë, të vlerësojmë gjendjen tonë se si ka mundësi që të ketë punë, por njerëzit përzgjedhin punën. Nëse shkon në ndonjë fshat është thuajse e pamundur të gjesh ndonjë familje që mban bagëtitë dhe punon tokën, sepse shumica nuk duan ose nuk janë fare të interesuar të punojnë punën e bujkut, edhe pse bujqësia është fusha ku njerëzit mund të gjejnë punë me bollëk. Janë bërë të ngjashëm me thënien të shkojmë për të blerë pemë e perime në qytet për t’i konsumuar në fshat. Në shumicën e rasteve kur kërkohen punëtorë për punë, të tillët përzgjedhin punën, sepse dëshirojnë vetëm punë të lehta ose të punojnë pak, por të fitojnë shumë. Etika jonë profesionale dhe përgjegjësia jonë etike në lidhje me detyrat tona ka rënë në një nivel shumë të ulët ku vendi i punës është thjesht një pagë për të cilën aspak thuajse nuk jemi të përgjegjshëm, sillemi si mbretër kundrejt punëtorëve, nuk respektohen kontratat as nga punëdhënësi dhe as nga punëmarrësi, gjithçka është në mëshirë të nivelit të përgjegjësisë, kontratat janë shpesh fleta sa për sy e faqe për të qenë i pastër para burokracisë dhe asgjë më shumë. Të punësuarit në institucionet publike, por edhe në ato private kanë nevojë të madhe për përmirësime dhe ndryshime si në qasje ndaj punës, po ashtu edhe në përgjegjësi punëdhënësi ndaj punëmarrësit dhe punëmarrësi ndaj detyrës që kryen. Në fillim gjithçka thuajse në çdo projekt nis mirë, por me kalimin e kohës gjërat ndryshojnë duke u zvogëluar dhe pakësuar përgjegjësia etike dhe profesionale si nga punëdhënësi, po ashtu edhe nga punëmarrësi dhe si rrjedhojë e kësaj papërgjegjësie, edhe produkti i punës nuk është cilësor, madje shpesh edhe është i cilësisë më të ulët. Përgjegjësia në punë është kulturë dhe edukim, aq sa është niveli i tyre në etikën profesionale dhe morale të punëdhënësit dhe punëmarrësit, aq është edhe niveli i cilësisë së punës së kryer ose që duhet të kryhet. Kultura ndaj punës duhet të mësohet qysh nga moshat e reja, madje qysh nga ditët e para në bankat shkollore, sepse vetëm kështu do të kemi punëdhënës dhe punëmarrës të përgjegjshëm dhe të denjë për të bartur përgjegjësi të mëdha për vendin tonë i cili ka nevojë të mëdha për zhvillim dhe përparim të përgjithshëm.
Autori Burim Ugzmajli Master i Politikave te BE-së