Gazmend Bytyqi Vetëm ndonjë jashtëtokësor mund të thotë se procesi i verifikimit të veteranëve nuk polli shumë e shumë “veteranë”. Natyrisht se listat u mbarsën në këta 19 vjet të pasluftës, por dua të besoj se listat e veteranëve do të pastrohen dhe në fund do të mbeten ata që vërtet janë veteranë lufte. Vjedhja e taksave në emër të vlerave, është krim i dyfishtë! Së pari, vidhen taksat, e pastaj vidhet historia, krenaria, dinjiteti dhe e ardhmja! Kush ka faj këtu? Unë dhe shokët e mi veteranë, që me veprime a mosveprime kemi lejuar të ndodhë kjo. Kur jemi te listat, a e lëshojmë pak plugun edhe nëpër listat e institucioneve të tjera, në vija të trasha, natyrisht? Arsimi – Çka po jua merr mendja, sa akademikë, doktorë shkencash, profesorë, arsimtarë, mësues kanë marrë tituj duke vjedhur ose kanë përfituar titull në mënyrë të paligjshme dhe pa mbulesë të përgatitjes së tyre intelektuale? Ata përditë po na vjedhin. Po i vjedhin taksat dhe, me veprime a mosveprime, po e dëmtojnë rëndë edukimin tonë e të fëmijëve tanë. Thjesht, po na e vjedhin të ardhmen tonë! Lista mund të zgjatet tutje, por si mund ta pastrojmë? Shëndetësia – Çka po jua merr mendja, sa mjekë kemi në spitale, që shkojnë në punë në orën 7 dhe dalin pas dy a tri orësh, për të arsyetuar nënshkrimin për pagën që marrin e për të vrapuar në spitale ose ordinanca private. Sa diploma mund t’i kenë pa mbulesë të përgatitjes profesionale, sa diagnoza e receta shkruajnë krejt në stërnishta, sa keqpërdorime bëjnë në emër të vlerave njerëzore? Sa mjekë t janë të shitur te kompanitë farmaceutike? Çka po vidhet këtu – taksat, shëndeti dhe ardhmja jonë! Lista mund të zgjatet tutje, por si mund ta pastrojmë? Administrata shtetërore – Çka po jua merr mendja, sa zyrtarë të niveleve të ndryshme keqpërdorin në forma më të pista pozitat e tyre, duke vjedhur taksat, besimin dhe, natyrisht, të ardhmen e shtetit tonë? Listën mund të zgjasim sa të duam, por si ta pastrojmë? Pensionet – Sa mund të jetë numri i atyre që vijnë nga Maqedonia, Serbia, Turqia, Mali i Zi, Zvicra, Gjermania etj… dhe marrin pensione të pleqërisë a invalidorë nga taksat tona, pa dhënë asnjë cent ose kontribut në shtetin tonë? As kjo listë nuk qëndron hiç më mirë, në krahasim më të tjerat, por si mund ta pastrojmë? Çka po vidhet këtu? Sektori privat – Sa biznese mendoni që në mënyrë sistematike u shmangen taksave, sa prej tyre na shesin produkte të dyshimta e të rrezikshme për shëndetin? Sa prej tyre i vjedhin punëtorët dhe i trajtojnë si skllevër? Sa nga ta qarkullojnë, p.sh., 1000 euro në ditë dhe deklarojnë më pak se 100 euro? Çka po vidhet këtu? Lista mund të zgjatet tutje, por si të pastrohet se? Edhe sa shumë do të zgjatej kjo listë me sektorin e sigurisë, drejtësisë, kulturës, sportit, bujqësisë, pyjeve, peshkatarisë, ojq etj…! Aspak nuk dua ta relativizoj listën e parë, ama këto lista, mjerisht, do të mund të zgjateshin pothuajse deri në pambarim. Për një gjë besoj se pajtohemi, puna më e lehtë po na del t’i pastrojmë listat e veteranëve. Si përfundim Shumë popuj kanë kaluar procese të ngjashme, por kanë arritur që t’i zgjidhin. Ndoshta një nga mënyrat më të mira është t’i pastrojmë listat! S’ka problem, le të fillohet me listat e “veteranëve”!