Lajme

Publikohet raporti i Këshillit të Evropës për Shqipërinë, kritika të ashpra politikës

By FerizajPress

January 26, 2017

Në rezolutën e miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës theksohet se miratimi i amandamenteve kushtetuese ka hapur rrugë për një reformë tërësore dhe gjithpërfshirëse të gjyqësorit shqiptar, në mënyrë që të sigurohet paanësia dhe pavarësia nga presioni politik, shkruan tch

Reporterët Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly kanë vënë në dukje se zbatimi praktik i reformës në drejtësi, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, mbetet kusht për hapjen e negociatave për integrim në BE. Kurse reforma në gjyqësor shihet si faktor kryesor në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Klima e tensionuar politike vijon në Shqipëri. Është me rëndësi që të arrihet konsensus mes të gjithë faktorëve politikë për reformën elektorale në mënyrë që të gjejnë zgjidhje problematikat e shfaqura në zgjedhjet e kaluara, mbi bazën e rekomandimeve që ka dhënë Komisioni i Venecias dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”, thuhet në raport.

Pjesë të rëndësishme në raportin për Shqipërinë ka zënë vijimi i procesit të dekriminalizimit. Këshilli i Europës kërkon që të krijohen kushtet për zgjidhjen përfundimtare të problemit të pronave, si dhe krijimin e kushteve për një media profesionale dhe të pandikuar nga politika.

Për sa kohë nuk ka rezultate të prekshme dhe konsensus politik për reformat, Shqipëria do të mbetet në listën e monitorimit krahas Armenisë, Azerbajxhanit, Bosnje Hercegovinës, Gjeorgisë, Moldavisë, Federatës Ruse, Serbisë dhe Ukrainës.