Lajme

Pse u vra ish-ushtari i UÇK-së që jetonte në Gjermani, Bedri Curri? (Video)

By FerizajPress

April 22, 2016

Ende nuk ka asnjë informacion se si ka ndodhur vrasja e ish-ushtarit të UÇK-së, Bedri Curri.

Familjarë të tij nuk e kanë idenë se përse është vrarë ai. Ndërkaq, Policia e Kosovës tashmë ka intervistuar shumë persona rreth këtij rasti, raporton KTV.

I ati i tij, Vehbi Curri dhe anëtarë të tjerë të familjes nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, duke thënë se nuk dinë asgjë se çfarë ka ndodhur.

Por, kanë treguar se Bedriu, i cili nga viti 2000 shumicën e kohës jetonte në Gjermani, i kishte telefonuar nënës së tij nga Fushë Kosova, ku banonte me gruan dhe të bijën, se ai do të vijë në Drenas dhe po të mundej, do të kthehej ta shihte atë.

Mirëpo, ende nuk dihet se si ish-ushtari i UÇK-së e kishte bërë udhëtimin e fundit për në vendlindje, aty edhe ku u gjet i vdekur nga një bashkëfshatar.

Xhavit Doberdolani e gjeti kufomën e tij derisa po shkonte në arë për të punuar.

Ai thotë se derisa ka ardhur policia, nuk e kishte njohur fare viktimën.

Ndërkaq, Policia e Kosovës, nëpërmjet një njoftimi për media, ka bërë të ditur se rasti është cilësuar si vrasje dhe trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion.

“Policia ka zgjeruar rrethin e hetimit, duke intervistuar një numër personash në cilësi të dëshmitarëve apo edhe të tjerë, në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Bedri Curri pak ditë më parë është gjetur i vdekur në një mal në afër të shkollës në Korroticë të Epërme. Vdekjen e Bedriut i cili ishte pjesëtar i UÇK-së, e kanë konfirmuar edhe policia, të cilët thonë se trupin viktimës e kanë gjetur pa shenja jete.

Sipas disa burimeve të “Bota sot”, Curri i cili ishte pjesëtar i UÇK-s, ai ishte edhe një dëshmitar i mundshëm për Gjykatën Speciale. Sipas disa personave, që nuk duan të prononcohen me emër e që e kanë njohur nga afër Bedri Currin, thonë se ai ishte një dëshmitar për Gjykatën Speciale dhe kjo ishte edh arsyeja e vrasjes së tij. Të njëjtit thonë se ai dhe familja e tij nuk kishin hasmëri me askënd, dhe nuk ka pasur tjetër arsye që të qoj deri te vrasja e tij.

Në orët e pasdites, është zhvilluar varrimi, derisa shkaqet e vrasjes nuk i di askush.