Lajme

PSD: Fushata agresive e Serbisë kundër Kosovës në INTERPOL dëshmon dështimin e dialogut

By FerizajPress

November 20, 2018

Partia Socialdemokrate ka reaguar pas dështimit të pranimit të Kosovës në INTERPOL. PSD-ja thotë se është e zhgënjyer me mosmbështetjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim. PSD-ja me anë të një komunikate ka shprehur zhgënjimin e saj për mospranimin e Kosovës në INTERPOL, duke thënë se fushata agresive e Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës, dëshmon dështimin e deritanishëm të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

“Fushata agresive e Qeverisë së Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol dëshmon dështimin e dialogut të deritanishëm midis Kosovës dhe Serbisë. Ngjarja e sotme duhet të shërbejë si leksion për pushtetin, që të bashkërendohet me opozitën, për ta rikonfiguruar sa më parë dialogun me Serbinë. Dialogu i drejtuar nga Presidenti Thaçi po e bën Serbinë çdo ditë e më shumë agresive kundrejt Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, PSD-ja thotë se kërkon përgjegjësi dhe llogaridhënie politike e profesionale, nga ana e Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, lidhur me dështimin e anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL.