Ferizaj

Protestojnë banorët e Talinocit të Jerlive

By FerizajPress

September 24, 2016

Banorët e Talinocit të Jerlive kanë protestuar duke i ndërprerë edhe punimet për asfaltimin një rruge të këtij fshati ngase sipas tyre në këtë projekt janë lënë pa u asfaltuar vetëm 300 metra rrugë. Ata thonë se u është premtuar se do të asfaltohet edhe ajo pjesë mirëpo në momentet e fundit e kanë larguar nga projekti, transmeton Televizioni Tema.

“Kam shkuar tek drejtori Ilazi, e kam kërkuar planin se si ka me u bë asfaltimi, plani ka qenë 6 metra me anësore, i kam thënë a ka mundësi që mos me u vendos anësoret dhe me mjetet e anësorëve të shtrohet edhe kjo rrugë, ose rruga të bëhet 5 metra, sepse kjo rrugë e jona ka bazë dhe vetëm asfalti të bëhet, më ka thënë që do ta zgjidhim këtë problem, i kam thënë që  vetëm të na i blejnë kockat dhe ne do e asfaltojmë vet, tha që nuk ka mjete as për ato, na ka thënë që kur të bëhet asfaltimi do ta asfaltojmë edhe këtë rrugë, kena prit që sot ka me u asfaltu me këtë rrugën tjetër, tani nuk është duke u bërë asfaltimi kena dalë me i ndalë punimet, sepse na ka premtuar”,tha Feriz Sadriu, banor i Talinocit të Jerlive për Televizionin Tema

“Këtu janë 15 shtëpi, edhe në rrugën që është duke u asfaltuar janë 15 shtëpi, kemi qenë në komunë drejtori Ilazi na ka thënë që edhe nëve do të na bëhet asfaltimi, kur erdh puna me punu dulen në rrugën tjetër këta e lanë, po shihet se këtu ka korrupsion, nuk ka asnjë dyshim, se kur biseduam me drejtorin na tha që është bërë një problem por e zgjedhim këtë, është marre për ta kjo, po shihet që ka korrupsion”,tha Bashkim Sadriu.

‘’E kemi bllokuar punën sepse na kanë premtuar kur e kanë bërë kanalizimin, e kemi futur nëpër oborre me shpresë se do të na bëhet asfaltimi i rrugës, tani nuk janë duke e bërë asfaltimin, ne do ta bllokojmë punën, kemi qenë në drejtori disa herë na ka thënë drejtori se do të bëjmë zgjidhje dhe e ka ndryshuar planin”, Enver Musliu.

Ndërsa drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj Gafurr Ilazi, përmes telefonit i tha Televizionit Tema, se pas bisedave që ka pasur me këta banorë, kanë vendosur që asfaltimin e kësaj pjese të rrugës ta bëjnë vitin e ardhshëm./Televizioni Tema