Ferizaj

Protestohet në Ferizaj, kërkohet lirimi i Blerim Ramadanit

By FerizajPress

July 25, 2024

Me protestë gjithëpopullore nën organizimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, sot bashkë me familjarë të Dëshmorëve të Kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë, u kërkua lirimi i luftëtarit të lirisë, veteranit të UÇK-së nga Ferizaj, Blerim Ramadani, i cili tash e një javë po mbahet padrejtësisht në paraburgim nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut me fletarrest nga Serbia.

“I gjithë Ferizaj e mbarë Kosova kërkon liri për Blerimin! Liri për çlirimtarin”, thanë protestuesit.

Protesta është organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare, dega në Ferizaj së bashku me familjarë të dëshmorëve të kombit, invalidë e veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deputetë, ish-eprorë të lartë të UÇK-së dhe qytetarë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Shkup ka caktuar masën 30-ditore e paraburgimit ndaj Blerim Ramadanit, i cili u ndalua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë, bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Gjykata e Beogradit, përmes Interpol Serbia, për kinse krime lufte në verën e vitit 1999 në rajonin e Nerodimës.