Ferizaj

Ferizaj: Propozohet plotësim-ndryshimi i Statutit të Komunës, në mënyrë që të formohet Drejtoria e Inspektoratit

By FerizajPress

May 25, 2021

Këtë të martë është mbajtur mbledhja e katërt e rregullt e Komitetit për Politikë dhe Financa e cila është thirrur nga kryesuesja e Kuvendit Kristina Gashi-Bytyqi.

Ne këtë mbledhje nënkryetari i Komunës, Arton Gavazi, ka bërë propozim-vendimin për plotësim ndryshimin e nenit 59 paragrafi 1, pika 1 e Statutit të Komunës, në mënyrë që të formohet Drejtoria e Inspektoratit. Në arsyetimin e tij nënkryetari Gavazi, është shprehur se për shkak të rrethanave të krijuara për një menaxhim më të mirë është paraqitur nevoja për formimin e kësaj drejtorie.

Pavarësisht diskutimeve për këtë propozim, u vendos që kjo pikë e rendit të ditës të diskutohet në mënyrë të detajuar në mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Ferizajt.

Ndërkaq drejtori i pronës, gjeodezisë dhe kadastarit Sabri Murseli, ka bërë dy propozim-vendime për shpalljen e interesit të përgjithshëm të ngastrave kadastrale 1091-1 në zonën kadastrale në Ferizaj, si dhe për pjesët e këtyre ngastrave 630-0,632-0,633-0,634-o në zonën kadastrale në Komogllave. Poashtu u diskutua edhe propozim-vendimi për dhënien në shfrytëzim afatgjatë të pjesës së parcelës 629-1 të zonës kadastrale në Babush të Ri.

Anëtaret e Komitetit për Politikë dhe Financa të gjithë njëzëri u dakorduan që raportin e punës për vitin 2020, ta diskutojnë në mbledhjen e Kuvendit të Komunës që do të mbahet të premten.