Prokuroria do të kërkojë 30 ditë burg për Fatmir Kuçin, i dyshuar për vrasjen e turistit rus

By FerizajPress

August 05, 2016

Prokuroria e Vlorës i është drejtuar gjykatës duke kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg, me afat 30-ditor” për shtetasin Fatmir Kuçi, derisa të përfundojë ekspertiza në mjetin lundrues tip skaf, për të konfirmuar nëse turisti rus u godit për vdekje prej tij apo jo.

Masa do të shqyrtohet të shtunën nga Gjykata e Vlorës për dyshimet e “vrasjes nga pakujdesia” të Denis Kaiumov, 43 vjeç. Ndërkohë, në këtë qëndrim zyrtar, Prokuroria e Përgjithshme shpjegon të gjithë dinamikën e këtij aksidenti të ndodhur në det, në zonën e Himarës.

Prokuroria e Përgjithshme shpjegon se Denis Kaiumov kishte ardhur si pushues, së bashku me familjen prej 15 ditësh, ndërsa frekuentonin zonat përreth Himarës. Denisi, – shton prokuroria, – ka hyrë në det të notojë, ndërsa bashkëshortja me vajzën janë larguar drejt shtëpisë së pushimit. Ky moment ka qenë kontakti i fundit i të ndjerit me familjarët, të cilët janë njoftuar më vonë gjatë kohës që trupi i tij po dërgohej drejt Spitalit të Vlorës.

Nga të dhënat e deritanishme, sipas prokurorisë, personi i parë që ka konstatuar të dëmtuarin me plagë prerëse në trup dhe që e ka transprotuar në Spitalin e Himarës është shtetasi Fatmir Kuçi. Por, duke mohuar se është ai personi që e aksidentoi shtetasin rus, i arrestuari ka shpjeguar se kishte dalë xhiro me skafin e tij, kur e ka gjetur rastësisht të ndjerin në det, dhe bashkë me një tjetër person e ka ngjitur në skaf.

Prokuroroia i referohet në qëndrimin e saj edhe 3 dëshmitarëve okularë, mes tyre edhe e djalit të Fatmir Kuçit, Joni Kuçi, i cili shpjegon se ka qenë duke lundruar me një motor uji, kur ka konstatuar të atin të hipte një person të dëmtuar në motoskaf.

Sipas dëshmisë, i ati i ka kërkuar më pas të dilte në breg dhe të njoftonte ambulancën. Gjatë hetimeve të deritanishme, Prokuroria e Përgjithshme thotë se janë këqyrur edhe regjistrat që adminisrtohen nga Policia Kufitare Himarë, ndërkohë që janë nën hetim 4 efektivë të policisë, mbi dyshimet se kanë shpërdoruar detyrën.

Prokuroria pohon se shtetasi Fatmir Kuçi nuk ka qenë i pajisur me leje lundrimi për mjetin që drejtonte, por për mjete lundruese me peshë totale deri në 10 tonë.

.