Ferizaj

Prokuroria del me njoftim për vdekjen e një personi në pompën e derivateve në Ferizaj

By FerizajPress

February 08, 2022

Ferizaj, 08 Shkurt 2022– Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Ferizajt- Sektorin e Hetimeve Rajonale, në  mënyrë intensive janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, lidhur me zbardhjen e rastit të shpërthimit të veturës në pompën e derivateve “Eida Patroni” në rrugën magjistrale Ferizaj- Prishtinë.

Si pasojë e këtij shpërthimi të veturës, një person ka ndërruar jetë dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion  në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ndërsa, lëndime trupore ka pësuar punëtorja e marketit të pompës dhe e njëjta është dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Me autorizim të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat dje kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe vetura e djegur është dërguar në Stacionin e Policisë për ekzaminim dhe procedura të metejshme hetimore.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ju njofton se do të vazhdoj hetimet në mënyrë intensive lidhur me këtë rast, deri në identifikimin dhe zbardhjen e plotë të tij.