Punonjësi i Postës së Kosovës, Sami Maqedonci, i cili është pjesë e aktakuzës, pretendohet se përfitoi një pronë me vlerë prej 100 mijë euro në kompensim të një deklarate në favor të Shpresim Ukës në rastin Bllaca 2.
Deklarata e Maqedoncit e dhënë me 23 tetor 2012 ishte vlerësuar “pozitivisht e gabuar” ndërsa pas hetimeve prokuroria ka vërtetuar se Maqedonci përfitoi një pronë në Veternik.
Sipas dosjes së prokurorisë, prona ishte shitur nga njëri nga dëshmitarët i cili ka sqaruar se Shpresim Uka ishte marrë me tërë operacionin dhe e kishte udhëzuar dëshmitarin ta transferonte pronën në emër të Sami Maqedoncit.
Sipas ekspertëve të prokurorisë, vlera e pronës në atë kohë ishte 100 mijë euro por vlera në kontratë është 9,600 euro. Për më tepër, në deklaratën e tij Sami Maqedonci kishte thënë se nuk kishte paguar asgjë tek shitësi por më vonë këtë pronë e kishte shitur tek një blerës tjetër për 65 mijë euro.
Në këtë mënyrë, sipas prokurorisë, grupi kishte shpërblyer dëshmitarin e tyre i cili është zyrtar i PTK-së.
Në pretendimet e tij se grupi i Azem Sylës tjetërsoi prona shoqërore duke përdorur vendime të falsifikuara të gjykatave dhe duke u thirrë në emrat e trashëgimtarëve serbë, prokurori Italian Danillo Ceccarelli përshkruan në detaje përfshirjen e zyrtarëve të kadastrit të Prishtinës në lehtësimin e procedurave të regjistrimit e poashtu përfshirjen e disa serbëve të cilët ishin të angazhuar në identifikimin e pronave të cilat më pas do shfrytëzoheshin nga grupi.
Dy dëshmitarët e mbrojtur të këtij rasti, përmendën përfshirjen e një njeriu në biznesin e tokave të njohur si “Nesha”. Sipas prokurorisë ky person është serbi V. N. Dëshmitari i mbrojtur 1 e përmend “Neshën “ dhe D. M. si persona përgjegjës për gjetjen e familjeve serbe që kishin vendime për kthimin e tokave, duke iu afruar atyre për blerjen e tokave dhe pastaj duke u dërguar paratë.
Aktakuza e prokurorisë përmend se dhjetëra prona ishin transferuar nga emrat e personave të tjerë në emër të anëtarëve të grupit. Përpos lidhjeve me kryetarin e gjykatës së Prishtinës, Nuhi Uka ku sipas aktakuzë grupi kishte lidhje të forta për të nxjerrë dokumente nga arkivi e më pas për t’i falsifikuar, grupi kishte lidhje të mira edhe me kadastrin e Prishtinës.
Shefi i kadastrit Sabedin Haxhiu, sipas aktakuzës, kishte për detyrë që bartja e pronave në kadastër të kryhej në mënyrë të shpejtë dhe joligjore. Njëri nga dëshmitarët e prokurorisë i cili përmendet në aktakuzë kishte përmendur se Haxhiu merrte nga 10 deri në 30 mijë euro për një transaksion të pronave.
Si shembull prokurori përmend çështjen Steviq ku sipas prokurorisë veprimet kriminale të Sabedin Haxhiut ishin të prekshme. Siç përshkruhet në aktakuzë, nga dokumentet e siguruara nga prokuroria në vitin 2006, njëri nga avokatët kishte dorëzuar në kadastër një kërkesë për regjistrimin e pronës pa e cekur numrin e parcelës dhe duke paraqitur një vendim gjykate të falsifikuara.
I intervistuar nga prokuroria, ky avokat kishe përmendur se asnjëherë nuk kishte dorëzuar kërkesë të tillë në kadastrin e Prishtinës duke pretenduar se nënshkrimi i tij ishte e falsifikuar.
Për më tepër në këtë rast kërkesa ishte bërë për të zbatuar një vendimit të gjykatës të vitit 1993 i cili në atëkohë nuk mund të zbatohej për shkak se kishte kaluar periudha 10 vjeçare.
Procedurat në raste të tilla ishin të gjata por siç shkruhet në aktakuzë kjo ishte përfunduar për 9 ditë.
Prokuroria pretendon se disa prona ishin transferuar në këtë formë duke përdorur vendime të paligjshme ishin rezultat i korrupsionit edhe pse Sabedin Haxhiu e dinte se vendimet ishin të falsifikuara dhe parcelat nuk mund të transferoheshin. /Kallxo.com/
.