Prokurori gjerman kërkon burgim të përjetshëm për ish-spiunët jugosllavë

By FerizajPress

July 27, 2016

Prokuroria tha se të akuzuarit meritonin dënim me burgim të përjetshëm, sepse ata morën pjesë në vrasje dhe jo vetëm e nxitën atë. Prokurori i lartë i shtetit Lienhard Ueis paraqiti prova të detajuar para gjykatës të çelësit të garazhit ku u vra Djurekoviç dhe të strukturës së Shërbimit Shtetëror të Sigurimit, SDB, dhe rolit që Perkoviç dhe Mustaç kishin në të.

Ueis deklaroi se SDB e konsideronte vrasjet e emigrantëve një veprim të ligjshëm, duke theksuar se një numër emigrantësh u vranë nga SDB-ja gjatë viteve. Ai u shpreh gjithashtu se SDB-ja e intensifikoi numrin e vrasjeve jashtë vendit pas vdekjes së presidentit jugosllav Josip Broz Tito në vitin 1980. Kolegu i Ueiss, Stefan Ueiland, e përshkroi Mustaç si personin lidhës midis SDB-së dhe autoriteteve jugosllave, duke përmendur gjithashtu dëshmitarë që e përshkruan Perkoviçin si një figurë tepër të rëndësishme në luftën e shtetit komunist jugosllav kundër emigrantëve politikë.

Ueiland përshkroi marrëdhëniet midis Jugosllavisë dhe shtetit të atëhershëm të Gjermanisë Perëndimore, dhe sesi çështjet brenda SDB-së u caktoheshin personave të ndryshëm, “agjentët e të cilëve ishin në pozitën më të mirë për të vepruar”. Ai pohoi gjithashtu se zyrtarët jugosllavë informoheshin gjithmonë për të gjitha veprimet e mëdha të ndërmarra nga SDB-ja. “Nuk kishte asnjë veprim të madh jashtë shtetit në të cilin zyrtarë në nivel kombëtar dhe federal jugosllav nuk ishin të përfshirë,” tha ai.

Avokati i Perkoviç, Ante Nobilo, tha se prokuroria kishte shmangur dy fakte tepër të rëndësishme. Njëri ishte se nuk kishte asnjë provë që vrasësit e pritën Djurekoviçin në garazhin ku ai u vra dhe se ish-agjenti i shërbimeve sekrete dhe dëshmitari i gjykatës, Krunoslav Prates, nuk mund ta dinte se kur Djurekoviçi do të ishte në garazh apo ta ndante atë informacion me Perkoviçin.

Sipas aktakuzës, Zdravko Mustaç, kreu i shërbimit të sigurimit të shtetit jugosllav në atë kohë, e urdhëroi Perkoviçin të organizonte vrasjen e Djurekoviçit në vitin 1983. Motivi i dyshuar i vrasjes ishin kritikat e Djurekoviçit ndaj regjimit komunist në Jugosllavi. Si Mustaç ashtu edhe Perkoviç e kanë deklaruar veten të pafajshëm. Pasi mbrojtja të bëjë fjalimin e saj mbyllës, gjykata me shumë gjasa do ta japë vendimin javën e ardhshme.

.