Ferizaj

Projektligji për lehonat parasheh edhe pagesën e nënave të papunësuara

By FerizajPress

October 03, 2018

Për herë të parë do të trajtohen edhe lehonat e papunësuara, të cilat do të kompensohen me një shumë të caktuar të pagës minimale për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica përmes një konference për media ka lansuar sot konsultimet publike për Projektligjin e Punës dhe Projektligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindërorë, të hartuara nga MPMS.

Duke folur për këto dy projektligje, Reçica tha se ato janë një prej reformave kyçe që MPMS ka ndërmarrë, që kanë për qëllim mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punës në marrëdhëniet kontraktuale punëdhënës-punëmarrës, trajtimin meritor të nënave lehona në Kosovë, si dhe është në funksion të zhvillimit dhe avancimit të procesit drejt fazës integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian.

“Nëpërmjet tyre synohet të rregullohet marëdhënia e punës ku do përfshihen kontratat e punës dhe format e lidhjes së kontratës, orari i punës, gjobat, pushimi e lehonisë, paga minimale, pushimi mjekësor, pushimi pa pagesë dhe elemente tjera që përmbledhin fushën e marëdhënies së punës”, bëhet e ditur në komunikatën e ministrisë.

Këto dy projektligje, në të cilat janë inkorporuar direktiva dhe praktika të mira nga BE-ja synojnë të përmirësojnë elemente të cilat kanë qenë të papërshtatshme në ligjin aktual të punës. “Sa i përket pushimit të lehonisë, Reçica tha se 3 muajt e parë të pushimit të lehonisë, pagesa do të bëhet nga punëdhënsi me 70% të pagës bazë, 6 muajt në vijim do të paguhen nga Qeveria e Kosovës me 50% të pagës mestare në Kosovë dhe 3 muajt e tjerë do të jenë pa pagesë”, bëhet e ditur në komunikatën e ministrisë.

Në Ligjin për Pushimin e Lehonisë dhe Prindërorë për herë të parë siç bëhet e ditur në komunikatë do të trajtohen edhe lehonat e papunësuara, të cilat do të kompensohen me një shumë të caktuar të pagës minimale për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë.

Me këtë projektligj parashihet edhe pushimi prindëror pa pagesë në kohëzgjatje prej katër muajsh për nënën dhe babain, derisa fëmiu të mbush moshën 2 vjeçare. Me këtë rast, siç theksohet në komunikatë Reçica ka ftuar sindikatat, bizneset dhe përfaqësuesit e tyre, shoqërinë civile, ekspertë të fushave, që të kontribuojnë me komente e sygjerime të cilat do të përfshiheshin në realizimin e të drejtave për qytetarët tanë, e që synohen të përfshihen në projektligjet e lartëpërmendura. Ministria bën të ditur se për të gjithë të interesuarit, konsultimet publike të hapura sot do të jenë publike në platformën online të faqes së MPMS-së, www.mpms.rks-gov.net dhe të cilat do të zgjasin deri më 25 tetor të këtij viti.