Ferizaj

Projekti i shujtave për nxënësit në pikëpyetje

By FerizajPress

September 06, 2018

Viti i ri shkollor filloi, por kiflet ende nuk u erdhën nxënësve. Ky projekt i cili u kritikua më së shumti nga kjo qeverisje për harxhim të buxhetit komunal, sipas të gjitha gjasave nuk do të vazhdojë më tutje. Drejtori i Arsimit në Ferizaj Afrim Llabjani, tha se pushtetarët ende nuk kanë vendosur se si do t’ia bëjnë me projektin e shujtave ditore për nxënësit filloristë të shkollave të komunës së Ferizajt.

“Ky projekt ka filluar vitin e kaluar dhe kontrata e operatorit ka qenë deri në përfundimin e vitit shkollor. Do të thotë kontrata i ka skaduar këtij projekti dhe ne nuk e kemi vazhduar më kontratën dhe nuk e kemi ndonjë kërkesë të madhe për të vazhduar tutje, por jemi në proces të kësaj çështje, por se çfarë do të ndodhë ende nuk dihet, sepse do të shohim se si do të koordinohemi me të gjithë akterët”, tha Llabjani.

Llabjani tha se deri më tani kjo kontratë nuk është vazhduar për shkak të shumës së madhe të projektit.

“Ka qenë një kontratë mbi 1 milion e 100 mijë euro dhe si shumë e madhe që ka qenë është e vërtet që e ka dëmtu mjaftë buxhetin e komunës dhe për këtë arsye ne duhet ta rishikojmë me shumë hollësi këtë projekt. Ndryshe, nuk mendoj se është ndonjë humbje politike, pasi që ne jemi duke u përpjekur që të marrim një vendim më të qëlluarin për momentin“, tha Llabjani.

Nga projekti komunal  i shujtave ditore kanë përfituar mbi 10 mijë nxënës të shkollave fillore të Ferizajt, prej klasës së parë deri në të pestën, transmeton Televizioni Tema.