Lajme

“Projekt-rezoluta qartëson se zbatimi i vettingut është thelbësor për hapjen e negociatave”

By FerizajPress

February 01, 2017

Bushati duke komentuar paraqitjen e raportit ka thënë se raporti konfirmon reformat e ndërmarra nga qeveria.

Ai në një postim në facebook, ka bërë të ditur se nga rezoluta i miratuar thuhet qartë se të arriturat  në drejtësi e veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut është thelbësor për hapjen e negociatave  për anëtarësim në BE.

“Përcolla me kënaqësi mbështetjen e gjerë që mori projekt-rezoluta për vendin tonë, në Komitetin e Çështjeve të Jashtme të Parlamentit Europian”.

“Dëshiroj të vlerësoj kontributin e raporterit Knut Flenckenstein në paraqitjen e një raporti të balancuar dhe inkurajues, që konfirmon arritjet në reformat e ndërmarra nga qeveria, të evidentuara më parë edhe nga Komisioni Europian dhe Vendet Anëtare të BE-së dhe nxit progresin e tyre të mëtejshëm”.

“Ajo që thuhet qartësisht në projekt-rezolutë, është çka kemi përsëritur vijimësisht pas marrjes së dritës së rekomandimit nga Komisioni për hapjen e negociatave: progresi në reformën në drejtësi, veçanërisht zbatimi i ligjit të vettingut është thelbësor për uljen në tryezën e bisedimeve të anëtarësimit”, ka shkruar ndër të tjera Bushati, përcjell lajmi.net.

Me 62 vota pro, 6 vota kundër dhe 4 abstenime, Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian miratoi të martën pasdite Draft-rezolutën për Shqipërinë.

Në dokument vlerësohet progresi i vazhdueshëm mbi reformat që lidhen me BE-në, në veçanti për ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugën reformës së thellë e tërësore në sistemin e drejtësisë. Megjithatë, “Shqipëria nevojitet të zbatojë në mënyrë të besueshme reformat që lidhen me BE-në dhe të sigurojë që zgjedhjet parlamentare të qershorit të jenë të lira e të ndershme, nëse duhet të nisë negociatat e anëtarësimit në BE”, thuhet në rezolutë./ Lajmi.net/