Nga bashkëshortët mësuam sekretet e prodhimit të vajit të ullirit dhe pengesat që po has ky biznes. Edhe pse e ndodhur përherë në vështirësi, fabrika ka arritur të njihet në tregun e huaj deri në kufijtë e Amerikës ku edhe ka gjetur çmime konkurruese. Por megjithatë, në vendin tonë produkti i kësaj firme është pak i njohur. “Kam rreth 21 vite që e kam ngritur fabrikën. Kam si modelin e vjetër të fabrikimit, por edhe të riun, me të cilin punoj prej 7 vitesh. Shpenzova rreth 400 000 euro, në mënyrë që të sillja teknologjitë e reja me dëshirën për të prodhuar në vendin tim vajin “ekstra të virgjër”. Bleva edhe një kandar elektronik nga Zvicra, i cili më kushtoi rreth 2300 euro. Edhe repartet e punimit në fabrikë jam munduar t’i kem të ndara në 4 dhoma për të patur edhe një rezultat më të mirë. Fillimisht pashë diku në Itali mënyrën sesi ambalazhohet dhe punohet për të patur edhe një shembull konkret”, përshkruan Vesaf Musai investimet e kryera në dy dekada.
“Kur nisa këtë lloj biznesi ullinjtë e parë i mora në Qendrën e Transferimit të Tekonlogjisë Bujqësore të Vlorës. Por, marr edhe nga prodhimet e parcelave të njerëzve në zonë. Jemi në rritje, por nuk kemi para në xhep sepse investojmë vazhdimisht që edhe fermeri të ndihet mirë dhe tregu po ashtu, duke tentuar të sjellim inovacione”, tregon Musai. I marrë me punimin e ullinjve gati gjatë gjithë jetës, Musai na tregon sesi vitet e fundit prodhimi i tyre ka njohur një rënie të madhe pavarësisht shtimit të sipërfaqeve me ullishte. “Mbetet problematike çështja e ullinjve, prodhimi i tyre. Këto 3 vitet e fundit nuk ka patur shumë prodhim, megjithëse unë dhe bashkëshortja ime jemi munduar të punojmë fort. Por, në rastet që ka shumë prodhim bie çmimi i ullirit që varion nga 70- 100 lekë/kg. Është një lidhje zinxhir, sepse më tej ndikon edhe te çmimi me të cilin do të shes edhe vajin e ullirit”, shpjegon Musai. Prodhuesi i vajit të ullirit na flet edhe për punimet e fermerëve në kulturën e ullinjve, të cilat në shumicën e rasteve nuk japin rezultatet e kënaqshme dhe kjo, sipas tij, ndikon direkt në uljen e cilësisë së prodhimit të vajit. Aktualisht, sipas Musait, mungon kujdesi i fermerëve për ullirin, nuk bëhen punimet ndihmëse ndaj tij, krasitja, rregullimi i kurorës së tij, ose “pallakoma”, siç quhet ndryshe. Por, ajo që përbën themeloren, lidhet me mënyrën e vjeljes.
“Ullinjtë masakrohen gjatë vjeljes, goditen me të gjitha mjetet e mundshme, mjafton të lëshojnë edhe kokrrën e fundit. Dhe kështu, dëmtohen degët, dëmtohet struktura e pemës, çka bën që ulliri të mos rikuperojë dhe të mos arrijë të çelë lulen e të lidhë kokërr në vitin pasardhës. Por, kjo më dëmton direkt edhe mua. Nëse do të kem ullinj të cilësisë së mirë, edhe vaji do të jetë i tillë, pa shpenzuar para të tjera në mjete teknologjike”, thotë prodhuesi i njohur i vajit të ullirit.
Mungesa e lëndës së parë
Rënia e sasisë së ullirit të vjelë nga ullishtat ka qenë një nga problemet kryesore në ecurinë e prodhimit të vajit. Kjo situatë ka ngritur një pengesë edhe për prodhuesin Musai, i cili thotë se vështirësia më e madhe është zakonisht për mungesën e lëndës së parë. “Tregu është i pakët. Ministria e Bujqësisë duhet të kthejë sytë nga bujqësia. Sidomos nga ullishtat e vjetra, sepse ka vlera shumë të larta. Vetëm në atë mënyrë do të ishte prodhimi më i mirë. Kohë më parë ullishtat kanë qenë plot, kishte vaditje dhe bëheshin krasitjet e duhura. Ne tani presim thjesht të ketë prodhim që të përpunojmë. Duhet me patjetër të krijohen modele në këtë industri”, thotë Vesafi.
“Si e mësuan të huajt për vajin tim”
Pavarësisht vështirësive të gjendura në tregun shqiptar, produkti kryesor i fabrikës së Vesafit dhe Eminesë njohu një treg të jashtëm, nga i cili mori dhe vlerësime të shkëlqyera. Ndonëse me një eksperiencë të gjatë në industrinë e prodhimit të vajit, por pa eksperienca të mëparshme me të huajt, ata na tregojnë se prej gati 5 vitesh kanë arritur të eksportojnë produktin e tyre në shtete të ndryshme të botës duke fituar kësisoj çmime të para në këtë industri nga ku kanë marrë edhe 5 medalje ari. “Shitjet e para të vajit kanë qenë këtu, përreth zonës, në miq e të afërm. Madje edhe stampimin e kemi realizuar me shishe plastike. Etiketën e kemi vënë prej 7-8 vitesh. Menjëherë pas etiketës patëm edhe tregun që vijoi të shtohej. Pa emër, vështirë të ecnim përpara. Më pas bëmë edhe fletëpalosje duke tentuar kësisoj të marketonim atë çfarë prodhuam ndër vite”, thotë Emineja, bashkëshortja e Vesafit. Ka qenë një kompani italiane, e cila se pari, ka shprehur një interes për këtë produkt shqiptar, duke bërë edhe certifikimin dhe njohjen e kësaj fabrike. “Analizat e para të produktit janë bërë nga Italia, prej nga ku u konfirmua edhe cilësia e vajit, i cili mban standardin ekstra i virgjër. Mirëpo, ne kemi konkurruar vazhdimisht në konkurse të ndryshme në mënyrë që të njihemi si në vendin tonë, por edhe jashtë. Nga viti 2013 kam marrë çmime “Gold”, të gjitha të akorduara në Itali. Çmimin më të fundit e mora në Kroaci, ku fitova një medalje ari në mars të vitit 2016. Këtu kanë qenë pjesëmarrëse 400 kompani dhe një juri me 13 anëtarë. Kishte kompani nga e gjithë bota, por vetëm vaji ynë nga Shqipëria triumfoi. Vaji njeh eksport jashtë shtetit me etiketën time. Shkon në deri në Nju Jork. Atje, 1 litër vaji jepet me 48 dollarë, ndërsa këtu e marrin me 10 euro. Shkon edhe në Zvicër, ku merret po me çmim 10 euro dhe shitet më tej 38 franga. Po ashtu, ka edhe eksport në Hong Kong me të njëjtat çmime. Ndërsa në Shqipëri e shes me 1000 lekë litrin”, thotë më tej Vesaf Musai, prodhues i vajit të ullirit.
Vlorë
Në rrethin e Vlorës numërohen rreth 1.35 milionë rrënjë ullinj, që përfaqësojnë më shumë se 30 përqind të tyre në shkallë vendi, duke realizuar të njëjtën përqindje në prodhimin kokërr. Sot në këtë rreth prodhohen mesatarisht çdo vit 11700 tonë ullinj dhe 1460 tonë vaj
Cilësitë
Vaji i ullirit është aleati më i mirë i njeriut kundër sëmundjeve dhe renditet i pari në listë nga dhjetë gjërat ushqimore më të shëndetshme për organizmin e njeriut dhe për këtë shkak e quajnë “ar i lëngshëm”. Lëngu natyral i vajit të ullirit është eliksir i shëndetit dhe jetëgjatësisë. Vaji i ullirit përmban thartirë të yndyrës të pashtrydhshme, lecitin, polifenol dhe vitamina A, D, E dhe K. Përbërësit shërues të vajit të ullirit rrjedhin para së gjithash thartirë të yndyrshme të pashtrydhshme dhe antioksidant
Kozmetikë
Vaji i ullirit përdoret si përbërës i rëndësishëm në preparatet kozmetike, të cilat kanë për qëllim ruajtjen nga dielli, mirëmbajtjen e lëkurës së thatë, heqjen e shenjave nga djegia. Vaji i ullirit është përbërës antiaging (kundër plakjes) i shkëlqyeshëm, i cili ju ofron jetëgjatësi. Është shumë i mirë për lëkurën tuaj, ndërsa flokët i bën të shkëlqyeshëm dhe të mahnitshëm.
Mbrojtja
Ulliri është pa dyshim një bimë mjekësore e mrekullueshme. Për çdo pikë të vajit të ullirit i marrim mbi 30 përbërës të cilët na mbrojnë nga sëmundjet e zemrës, mplakja e hershme dhe shumë sëmundje e tjera. Ai përmban acide yndyrore të pangopura, më së tepërmi acidit oleinik, i cili përmban 55-83 për qind të acideve yndyrore të përgjithshme, të cilët në mënyrë pozitive veprojnë në metabolizmin e yndyrave në mëlçi, rregullojnë kolesterolin, e mbrojnë zemrën, gjë që pakëson mundësinë e prekjes nga sëmundjet e ngurtësimit të enëve të gjakut, infarkt, tromboza dhe rregullojnë tensionin e gjakut. Bima dhe lëvozhga e ullirit përdoren me rezultate shumë të mira kundër arteriosklerozës, tensionit të lartë të gjakut, temperaturat e larta etj./shekulli
The post “Prodhoj vaj ulliri për Nju Jorkun dhe Hong Kongun, në Shqipëri nuk më njohin” appeared first on Lajminet.