Ferizaj

Problemi i varrezave të qytetit pritet të merr epilogun përfundimtar të premten

By FerizajPress

May 14, 2018

Gjatë ditës së sotme, Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Ferizajt, Kristina Gashi-Bytyçi, ka mbledhur anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa për të diskutuar pikat e re rendit të ditës që janë përgatitur për mbledhjen e radhës së Kuvendit të Komunës.

Në seancën e radhës të Kuvendit Komunal të Ferizajt që do të mbahet të premten, pritet të merret vendimi për destinimin e një ngastre kadastrale për varrezat e qytetit në Fshatin e Vjetër. Kështu ka vendosur sot Komiteti për Politikë dhe Financa, pas një debati, në të cilin përfaqësuesit e opozitës nga radhët e LDK-së, jo vetëm që e kundërshtuan këtë propozim, por kërkuan që kjo pikë edhe të hiqet nga rendi i ditës i kësaj seance. Marrjes së këtij vendimi paraprakisht i parapriu edhe anulimi i vendimit për shpalljen e interesit të përgjithshëm për ngastrën kadastrale e paraparë për varreza tek Parku Liria, si dhe vendimi për anulimin e zbatimit të aktivitetit të planit të veprimit të PZHK-së në atë zonë. Drejtori i Urbanizimit, Lulzim Aliu, ka argumentuar këto propozime duke vë në dukje se anulimi po bëhet me kërkesë të FSK-së dhe nevojës që sa më parë të kemi një hapësire të destinuar për varreza. Ka shtuar se vendi aktual i propozuar i plotëson kërkesat për një kohë, ndërsa ka potencuar aspektin ligjor i cili nuk e pengon PZHK-në.

Kjo paraqitje ka ngjallur debatin. Përfaqësuesit e LDK-së në këtë trup të Kuvendit kanë thënë se kjo çështje po shikohet nga këndvështrimi politik. Kanë shtuar se ka qenë edhe premtim elektoral i kryetarit, teksa kanë përmendur edhe ndeshjen me ligjin ngase PZHK-ja sipas tyre e ka paraparë ndryshe Në mbrojte të këtyre propozimeve kanë dalë përfaqësuesit e pozitës në Komitet, duke thënë se çdo kërkesë të FSK-së duhet respektuar, teksa kanë shtuar se FSK-ja dhe institucionet e saja i bëjnë nder të veçantë Ferizajt. Madje kanë shtuar se këto probleme derivojnë nga PZHK-ja, por që do jenë transparentë gjatë shqyrtimit të këtyre aspekteve. Pati mendime se vendimet e ministrive, por edhe PZHK-në nuk duhet kundruar vetëm në kontekst negativ por që duhet respektuar. Shpjegime shtesë për çështjet e ngritura ka dhënë drejtori i Urbanizimit, Lulzim Aliu, duke thënë se këto ndryshime janë ligjore dhe se është momenti i fundit që këtij problemi t’i bëhet zgjidhje. Në seancën e së premtes Kuvendi i komunal Ferizajt do ta debatoi edhe platformën qeverisëse për vitin 2017-2021, ecurinë financiare të komunës për periudhën janar-mars 2018, do ta vendosë në debat publik rregulloren komunale për shfrytëzimin e objekteve sportive si dhe do të merr vendim për këmbim të një ngastre kadastrale në fshatin Komogllavë .