Lajme

Problemi i shënjimit të kufirit në Karaçevë, takim urgjent i kryetarit të Kamenicës me KFOR-in dhe banorët

By FerizajPress

July 24, 2018

Ditë më parë, deputeti i Vetëvendosjes, Ismajl Kurteshi, kishte shprehur shqetësimin me pronat e qytetarëve të cilët ai thotë se KFOR-i i ka lënë në territorin e Serbisë, shkruan lajmi.net.

“Sot në Karaçevë të komunës së Dardanës banorët po ankohen se KFOR-i ka vendosur arbitrarisht vijë kufitare duke i lënë në Serbi pronat e tyre. Banorët e Karaçevës protestojnë që prej vitit 1999, kur KFOR-i e vendosi atë kufi të padrejtë. Është koha që ankesat e tyre të dëgjohen seriozisht dhe të merren masa”, shkroi Kurteshi.

Të njëjtin shqetësim e ngriti dje në Kuvendin e Kosovës edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, i cili tha se banorët e Karaçevës nuk po lejohen të lëvizin lirshëm në pronat e tyre.

E lidhur me këtë problem, sot është caktuar një takim mes banorëve të fshatit, KFOR-it dhe kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Këtë e konfirmoj për lajmi.net vetë kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, i cili tha se pas këtij takimi do të vendoset për hapat e mëtutjeshëm.

“Kemi caktuar për sot një takim me banorët e fshatit dhe KFOR-in, pas kësaj të shohim se çka do të vendoset”, deklaroi Kastrati.

Ashtu siç bëri të ditur Kastrati, takimi pritet të fillojë në ora 10:30.

Kujtojmë, se që nga viti 2014 banorët e Karaçevës, fshat në brezin kufitar me Serbinë, kanë ngritur shqetësime për patrullimet e policisë serbe në territorin e këtij fshati. /Lajmi.net/