Ferizaj

Prindërit të shqetësuar me gjendjen e sigurisë në shkolla

By FerizajPress

February 11, 2017

Këshilli i Prindërve në Ferizaj, ka mbajtur mbledhjen e rregullt ku ndër të tjera u diskutua edhe për sigurinë e nxënësve nëpër shkolla.

Kryetari i këtij këshilli Nazim Hoxha, tha se kërkesë e prindërve është që të rritet siguria në institucionet shkollore dhe nxënësve t’u bëhet kontroll më e madhe nga ana e mësimdhënësve.

 “Kërkesa e prindërve është që të ketë një siguri më të madhe nga ana e organeve kompetente, pastaj me një rekomandim të kryetarit të komunës dhe drejtorave të shkollave, të themelohet një komision nga ana e mësimdhënësve, dy profesorë dhe profesoresha të bëjnë kontrollimin e fëmijëve se çka disponojnë me vete, ne kemi kërkuar si prind që në ditën kur mësimdhënësi është kujdestar i ditës, atë ditë ta ketë të lirë vetëm si kujdestar e jo kur të bie zilja për mësim, të merr ditarin e të shkoj në klasë, por kjo nuk i’u konvenon drejtorave të shkollave“,tha Nazim Hoxha.

Prindërit u shprehën të shqetësuar për gjendjen e sigurisë në shkolla, duke fajësuar Policinë dhe mësimdhënësit, për moskrijim të një ambienti më të sigurt brenda institucioneve arsimore.

Policia mundet me u sill nëpër shkolla, por jo në detaje me hy me i kontrollu se edhe policia vetë qëndron prapa tyre, se drogën nuk e kanë mbjellur fëmijet tanë, po thuhet se është qetë, por nuk është në rregull, arsimi pse është i kriminalizuar, sepse janë duke prodhuar analfabet me diplomë, unë kërkoj tek arsimi të bëhet verifikimi i diplomave të mësimdhënësve dhe cilësinë në mësim me kërku, janë analfabet të diplomuar çka janë duke dhënë mësim nëpër shkolla”,tha prindi Ekrem Jakupi.

Si pikë e rendit të ditës në këtë mbledhje, ishte edhe suksesi dhe vijueshmëria e nxënësve gjatë gjysmëvjetorit të parë, ku u tha se suksesi nuk dallon nga viti paraprak. Me nota pozitive prijnë klasët e ciklit të ulët, ndërsa ciklet e larta prijnë me numër të madh të mungesave, transmeton Televizioni Tema.