Ferizaj

Prezantohet propozimi për dukjen dhe organizimin e varrezave të qytetit. Afro 30 mijë vend-varre të ndara në 35 blloqe

By FerizajPress

September 25, 2018

Ferizaj.25. 09. 2018 Çështja që i konsumoi shumë kohë ekzekutivit komunal nga legjislatura e tanishme për caktimin e lokacionit për varrezat e qytetit, mori epilogun me konfirmimin e ligjshmërisë nga ministritë përkatëse. Kjo hapi rrugën që të ideohet organizimi dhe dukja e varrezave të qytetit të vendosura në një parcelë të gjerë në Fshatin e Vjetër.

Plani për organizimin dhe funksionalitetin e varrezave të qytetit është bërë sipas parametrave më të larta dhe standardeve më të mira për organizimin e tyre. Kjo është bërë duke mundësuar rrugë dhe qasje përgjatë gjithë këtij kompleksi dhe hapësira të shumta të gjelbërta. Në këtë kompleks të varrezave janë të përfshira varrezat e besimtarëve myslimanë, katolikë dhe protestantë.

Prezantimin e këtij plani të organizimit dhe dukjes së tyre e ka bërë në njërën nga mbledhjet e Këshillit të Drejtorëve, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mjedisit, Lulzim Aliu pasi ky dokument ka marr formën finale pas konsultave me ekspertë të fushës së urbanizmit dhe mjedisit.

Edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se me këtë projekt, qyteti i Ferizajt, përfundimisht do të ketë varrezat e qytetit dinjitoze, sipas kushteve dhe standardeve më të larta që kërkohen për komplekse të tilla përkujtimore.

Varrezat e reja të qytetit kanë një sipërfaqe të përgjithshme prej 21 hektarësh, me hapësirë për varre prej 112,000m2, të ndara në 35 blloqe, me vend hapësirë për afro 30,000 varre, kurse pjesa tjetër përfshin hapësirë gjelbëruese dhe infrastrukturë përcjellëse, godinat e riteve fetare, mbi 240 vendparkingje.

Nisja e punimeve për jetësimin e këtij projekti do të bëhet së shpejti, pas koordinimit edhe me bashkësitë fetare në Ferizaj, për detajet teknike të organizimit të këtij kompleksi varrezash.