Ferizaj

Prezantim i suksesshëm i studentes së USHAF për produktet e kompanisë ‘’ANB BALIU’’

By FerizajPress

April 24, 2018

Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u mbajt ligjëratë nga studentja e këtij Universiteti, Blerta Sulejmani, e punësuar në kompaninë “ANB Baliu”, si dhe pronari i Kompanisë, z. Bujar Baliu, me të cilin kohë më parë UShAF ka lidhur Marrëveshje Bashkëpunimi.

Blerta Sulejmani është njëra ndër studentet më të suksesshme gjatë studimeve në UShAF në programin Arkitekturë e Interierit dhe Dizajni i Mobileve, e cila në saje të meritave gjeti punësimin në Kompaninë ‘’Anb Baliu’’, ku po tregohet mjaft e suksesshme.

Pronari i Kompanisë, z. Baliu dhe studentja u pritën nga rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari, të cilët i falënderoi për bashkëpunim në ofrimin e mundësisë për strudentët tanë për kryerjen e punës praktike. Po ashtu, studentes i uroi suksese në punën e saj, si dhe u shpreh shumë i kënaqur që studentët, të cilët po dalin nga UShAF, po tregohen të sukseshëm në profesion, me ç’rast sipas tij, po dëshmohet në praktikë.

Blerta para studentëve të Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit prezantoi temën “Risitë e Kuzhinave”, duke iu shpjeguar audiencës trendët më të reja të kuzhinave. Po ashtu, ajo u foli studentëve edhe për njësinë e re të kompanisë ‘’Euroswiss’’, e cila ka përfaqësinë e brendeve lidere në botë, siç janë: Lohmeyer – për makineri, Peka – për aksesorë të kuzhinave, garderoba, etj., Lamello – për tyble, Mullex – për shporta ekologjike, Leuco – për sharra dhe freza, etj.

Ndërsa, z. Baliu e quajti studenten produkt i sukseshëm i Universitetit dhe u zotua se së shpejti do të ofrojë një program të quajtur XCAD, me të cilën do të trajnohen 5 studentët më të sukseshëm, të cilët më pastaj do të punësohen në këtë Kompani.

Në fund, përfaqësues të Kompanisë sollën produkte nga druri dhe disa lloje të aksesorëve, me të cilët studentët u njoftuan për së afërmi dhe shpërndanë broshura për student.

ANB Baliu, merret me prodhimin e mobileve, si: kuzhina, dhoma gjumi për të rritur dhe fëmijë, komodina për TV, etj., kompania është edhe anëtare e Bordit Industrial të UShAF, e cila jep kontribut në hartimin e plan programeve mësimore.