Lajme

Premtohen investime për bujqësinë në Kosovë

By FerizajPress

October 05, 2016

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, takoi sot një delegacion të Bankës Botërore të drejtuar nga udhëheqësja  e Projektit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të Bankës Botërore në Kosovë, Meeta Seghal, me të cilën kanë biseduar për fazat e ardhshme të këtij projekti, me konkretisht në sferat ku do të orientohet mbështetja konkrete financiare.

Duke e falënderuar për mbështetjen e deritanishme që Banka Botërore ka dhënë për bujqësinë në Kosovë, Krasniqi prezantoi të arriturat e deritanishme në këtë sektor nga investimet e qeverisë. Ai tha se programi i sivjetshëm prej 46 milionë eurove do të kontribuojë në rritjen e prodhimit dhe cilësisë së produkteve vendore. Ministri shtoi se në vitin e ardhshëm do të rritet mbështetja, jo vetëm financiare por edhe do të zgjerohet në forma të tjera, në veçanti në edukimin e fermerëve dhe në arritjen e standardeve evropiane të cilësisë së produkteve bujqësore.

Me prioritet, tha Krasniqi, do të punohet në realizimin e një studimi të fizibilitetit për ujitjen e tokave bujqësore në Kosovë dhe më pas hartimin dhe realizimin e një projekti që do të siguronte mjaftueshëm ujë për ujitjen e tokave bujqësore.

Sipas një komunikate për media, temë boshte e diskutimit ishte financimi shtesë nga ana e Bankës Botërore për Projektin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kosovë, që përfundon vitin e ardhshëm. Të dy palët u pajtuan që ekziston nevoja për vazhdimin e projektit duke u fokusuar në komponentë që sjellin zhvillim dhe vende të reja pune.

Nga ana e saj, Seghal vlerësoi bashkëpunimin dhe rezultatet e deritanishme në bujqësi. Ajo premtoi se Banka Botërore është e interesuar të mbështesë edhe më tutje bujqësinë në Kosovë, si një prej sektorëve më të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës. /Indeksonline/