Lajme

Pozitë e opozitë, i bashkon ushtria

By FerizajPress

March 07, 2017

Deputetët e opozitës shprehen të gatshëm ta përkrahin Ligjin e ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës, i cili kësaj i jep përgjegjësi për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Edhe ekspertët e sigurisë vlerësojnë se ndryshimi i misionit të FSK-së duhet të ndodhë patjetër, pa marrë parasysh emërtimin Ligji i ri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), me të cilin kjo do ta ketë “barrën” edhe të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të territorit të Republikës së Kosovës, i paralajmëruar nga presidenti Hashim Thaçi, pritet ta ketë përkrahjen jo vetëm të deputetëve të pozitës, por edhe të atyre nga opozita.

Me një ligj të veçantë, duke i anashkaluar ndryshimet kushtetuese për shkak të refuzimeve të deputetëve të Listës Serbe, FSK-ja parashihet t’i ketë të gjitha kompetencat e ushtrisë.

Përfaqësues të opozitës kanë thënë për “Zërin” se do të kontribuojnë në çfarëdo forme në krijimin e ushtrisë. Mirëpo, ata janë shprehur të vendosur se as iniciativa e Thaçit e as ndonjë iniciativë tjetër nuk do të gjejë përkrahje po qe se synohet të arrihen koncesione në dëm të Kosovës. Kurse, ekspertët e çështjeve ushtarake dhe të atyre të sigurisë konsiderojnë se kjo iniciativë është e vonuar, porse krijimi i ushtrisë është më se i domosdoshëm.