Grupi punues i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), i cili ishte themeluar për në maj të këtij vitit ishte themeluar për të shqyrtuar çështjen e shpërndarjes së ndihmave sociale, ende nuk ka nxjerrë një përfundim.
Grupi që ishte formuar pasi që më 4 maj, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), pas ankesës së Postës së Kosovës dhe gjetjes së një sërë shkeljeve, kishte anuluar tenderin për shpërndarje të ndihmave sociale, të shpallur nga Ministria e Punës, pritet që në fund të muajit gusht, për këtë çështje të dalë me disa rekomandime për ministrinë. Këtë e ka bërë të ditur udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun, në ministri Musa Demiri. “Grupi punues, i formuar për të shqyrtuar këtë çështje, pritet që në fund të muajit gusht të paraqesë rekomandimet”, është shprehur ai, shkruan sot Koha Ditore.
Pas kësaj do të dihet nëse Postës së Kosovës do t’i mundësohet që të shpërndajë ose jo ndihmat sociale. OShP-ja në vendimin e saj kishte vlerësuar se Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale kishte shkelur Ligjin e Prokurimit, duke e përjashtuar Postën nga procedura tenderuese vetëm pse nuk e ka statusin e institucionit bankar.
Gjykata e tenderëve kishte vlerësuar se Posta e Kosovës ishte diskriminuar nga procesi tenderues dhe kishte vendosur për anulim të tenderit.