Lajme

Poshtë varrit të Skënderbeut mund të jetë fshehur një sarkofag (Foto)

By FerizajPress

January 22, 2017

Madje as ciceronët nuk e përmendin një fakt të tillë. Kapaku në mes të katedrales së Shën Nikollit nuk hapet prej vitesh duke mbajtur të fshehur edhe pjesë të historisë.

As lezhjanët nuk e dinë se çfarë ndodhet vetëm dy metër poshtë vendit ku janë vendosur imitimet e përkrenares dhe shpatës së Skenderbeut. Këtë e thotë edhe specialisti i monumenteve të kulturës Dedë Margjoni.

Ai shpjegon se ekzistojnë dyshime se krahas strukturës që është e punuar me një nivel të lartë artistik, i fshehur mund të jetë edhe një sorkofag.

Hapja dhe ekspozimi i këtij zbulimi të madh do të ishte një tjetër tërheqje për vizitorët dhe turistët. Specialisti i monumenteve të kulturës Dedë Margjoni ka edhe sugjerimet e tij sesi mund te realizohet ky qëllim.

Burime nga Bashkia e Lezhës kanë bërë të ditur se do të kërkohet bashkëpunimi me institutin e arkeologjisë që ky vend të hapet dhe të jetë i vizitueshëm, pasi janë të bindur se edhe numri i vizitorëve do të jetë shumë më i madh. Për këtë veçori që fsheh vendvarrimi i Skënderbeut në Lezhë flet edhe ish Përgjegjësi i Kulturës Kombëtarë në Lezhë, historiani Paulin Zefi.

Sipas tij në vitet 1978-1981, gjatë proçesit të punimeve që u zhvilluan tek Katedralja e Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) nga ana e specialistëve të “Ateliesë së Monumenteve të Kulturës” në Tiranë, përveç zbulimit të themeleve të mureve perimetrale të këtij objekti, stratigrafia e pasur antike dhe mesjetare, heqja e suvatimit, zbulimi i rrugës antike Iliro – Romake dhe të tjera gjetje është zbuluar edhe një Kriptë (varr i nëndheshëm).