Ferizaj

Porosia e Elmi Reçicës për Sami Lushtakun: Me vota Urani është më i forti

By FerizajPress

June 27, 2019

Deputeti i PDK-së dhe anëtari i Këshillit Drejtues të kësaj partie, Elmi Reçica i është përgjigjur deklaratave të bashkëpartiakut të tij, Sami Lushtaku se disa persona të kësaj partie e kontrollojnë Kosovën.

Reçica për KALLXO.com tha se nuk qëndrojnë fjalët që i ka thënë Lushtaku.

“Drejtësinë në dorë e kanë gjyqtarët dhe prokurorët, këshilli gjyqësor e prokurorial. Nëse e kishin pas drejtësinë në dorë, nuk ish akuzuar më se shumti nga PDK”, tha ai.

“Në bazë te votave më i fuqishmi ka dal Uran Ismajli në konventë dhe të tjerër”, ka shtuar Reçica.

Kryetari i PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka deklaruar dje se nuk do ta lëshojë postin e të parit të kësaj partie në këtë komunë, pavarësisht kërkesës së shefit të tij Kadri Veseli.

Lushtaku përmes një postimi në Facebook tha se ai është zgjedhur në këtë post nga votat e anëtarëve të PDK-së dhe se sipas tij, vetëm ata kanë të drejtë ta largojnë.

“Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time”, ka shkruar ish-kryetari i Skenderajt.